Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj janë duke zhvilluar një vizitë në Holandë.

Ata kanë zhvilluar një takim me ministrin për Migracionin Mark Harbers, i cili vlerësoi vizitën e ministrit të Brendshëm dhe ministres së Drejtësisë.

Nga ana e tij, Ministri Xhafaj falenderoi Holandën për mbështetjen dhe kontributin e dhënë sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, sundimin e ligjit, duke shtuar se Holanda është ndër investitorët ekonomikë kryesorë në Shqipëri.  Në këtë kontekst, u shpreh Ministri, marrëdhëniet me Holandën janë shumë të rëndësishme për ne.

“Jam këtu, për të biseduar dhe adresuar probleme, të cilat janë në vëmendjen tuaj dhe përbëjnë shqetësim të përbashkët. Për të tilla çështje, kam pasur mundësinë të bisedoj edhe në takime të tjera që kam zhvilluar këtu në Hagë, sidomos me parlamentarë të Komisionit të Sigurisë. Ndonëse shifrat e migracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Holandë janë ulur ndjeshëm, ende mbetet problem lëvizja e shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shfrytëzuar portet holandeze. Pavarësisht se lëvizja e lirë e njerëzve sot është një e drejtë e tyre, është detyrimi ynë, si organe të zbatimit të ligjit të analizojmë se çfarë qëndron lidhur me veprimtarinë e paligjshme në këtë fushë”,

tha ministri. Pa dyshim, shtoi Xhafaj, bashkëpunimi me ju është i domosdoshëm në adresimin me efektivitet të kësaj çështje.

Më tej, ai bëri një panoramë të masave të marra nga Ministria e Brendshme, të karakterit sensibilizues, parandalues dhe ndëshkues, duke shtuar se janë nisur çështje penale ndaj individëve apo grupeve që e favorizojnë këtë lëvizje të paligjshme. Xhafaj veçoi në këtë kuadër, operacionin e fundit të Policisë së Shtetit, i cili u finalizua me arrestimin e rreth 50 personave, të cilët favorizonin kontrabandimin e migrantëve.

Në planin dypalësh, Ministri theksoi se është e nevojshme të zhvillohen analiza të përbashkëta, për të evidentuar se cilat janë problemet dhe qasjen që duhet të ndërmerret për t’i zgjidhur ato.

“Për këtë qëllim, jemi të gatshëm të sjellim në Holandë një ekip të posaçëm si dhe të shfrytëzojmë gjithë informacionin që ju dispononi për këtë çështje”

, tha ai.

Këtë mënyrë veprimi, Ministri Xhafaj e ilustroi me suksesin e arritur me vende të tjera si Franca dhe Gjermania. Më tej, Ministri u ndal në masat dhe rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, luftën kundër krimit të organizuar, Vetting-un në Policinë e Shtetit, luftën kundër terrorizmit, duke i prezantuar Ministrit Harbers një përmbledhje të treguesve të kriminalitetit për vitin 2017 dhe katër mujorin e parë të 2018.

Ministrja Gjonaj, i bëri me dije Ministrit Harbers se në vlerësimin e Qeverisë shqiptare, hapja e negociatave është fillimi i një procesi të gjatë që lejon vijimin e reformave shtetformuese që janë ndërmarrë deri tani. 

“Veçanërisht, për Qeverinë shqiptare është e rëndësishme vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi, si një përpjekje 3-vjeçare për garantimin e një sistemi të pavarur, të paanshëm dhe transparent për qytetarët shqiptarë”

, tha Gjonaj.

Gjithashtu, Ministrja i bëri me dije rezultatet e deritanishme të procesit të Vetting-ut dhe pritshmërinë që në një kohë të shpejtë do të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Më tej, Ministrja Gjonaj e njohu Ministrin me përpjekjen që ka bërë Qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe vlerësoi ndihmën e çmuar dhe bashkëpunimin që ka dhënë Holanda në këtë kuadër.

Ministrja përmendi edhe marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Holandës dhe Shqipërisë në bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar, veçanërisht në luftën e përbashkët kundër parandalimit të pastrimit të parave në Shqipëri nga grupe kriminale që veprojnë në Holandë. Gjithashtu, Ministrja i bëri me dije se ka pasur një bashkëpunim të mirë edhe në rastet e ekstradimeve, megjithëse me nënshkrimin e letrës së qëllimit, do të mund të krijohen kushtet për përshpejtimin e procedurave.

Ministri Harbers, u shpreh se adresimi i shqetësimeve të konstatuara kanë nevojë për një bashkëpunim të fortë, i cili do të konkretizohet pas nënshkrimit të dokumentit të bashkëpunimit, mes dy palëve tona.  Ai vlerësoi masat e mara nga pala shqiptare sa i takon fenomenit të migracionit të paligjshëm, duke shtuar se është e domosdoshme të goditen ato individë apo grupe që e favorizojnë këtë fenomen paligjshmërie. Ministri ndau të njëjtin mendim me Ministrin Xhafaj dhe Ministren Gjonaj sa i takon takimeve në nivel ekspertësh për trajtimin e këtyre çështjeve, të cilat duhen planifikuar sa më shpejt të jetë e mundur.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi domosdoshmërinë e bashkërendimit të përpjekjeve, besimit reciprok, shkëmbimit të informacionit, hetimeve të përbashkëta, luftës së përbashkët me qëllim identifikimin dhe goditjen e shtetasve shqiptarë të perfshirë në aktivitete kriminale në Holandë.

Më pas, të dy palët diskutuan edhe për çështje të tjera si ato që kanë të bëjnë me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, konfiskimin e aseteve kriminale dhe pastrimit të parave, çështje këto të parashikuara edhe në dokumentin e bashkëpunimit.

Ministri Harbers vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në procesin e integrimit në BE, duke përmendur nevojën për të vazhduar përpjekjet për të pasur një historik të suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nga ana e tij, Ministri Xhafaj dhe Ministrja Gjonaj shprehën vendosmërinë për thellimin e procesit të reformave, duke shtuar se për qeverinë dhe institucionet shqiptare, çelja e negociatave për anëtarësim do të thotë më shumë përgjegjësi dhe shpresë për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht brezit të ri.

Në përfundim të këtij takimi, ekipet respektive të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës vijuan me prezantimin e strategjive dhe arritjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi.

Pala holandeze prezantoi qasjen e saj kundër krimit të organizuar dhe strategjinë mbi migracionin.

Në prezantimin e reformës në drejtësi, këshilltari i Ministres së Drejtësisë Besmir Beja, vuri në dukje procesin e hartimit të reformës, mënyrën e ndërtimit të sistemit të drejtësisë si dhe rezultatet e arritura deri tani.

Sa i takon, operacionit “Forca e Ligjit” të prezantuar nga zëvendësministri Besfort Lamallari, pala holandeze shprehu interes për aksesin në data bazat e ndryshme të përdorura nga Task Forca Speciale.

Në prezantimin e saj, pala holandeze theksoi se edhe pse gjatë vitit 2016 është evidentuar aktiviteti kriminal i individëve dhe grupeve shqiptare, shqiptarët nuk janë aktorët kryesorë të aktivitetit të organizuar kriminal në Holandë.

Aktualisht, problemi i kalimit të paligjshëm të kufirit në drejtim të Britanisë së Madhe, mbetet një problem shqetësues për palën holandeze.  Për këtë pala holandeze vlerëson se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është i domosdoshëm, sikurse është vepruar në adresimin e çështjes së azil kërkimit, për të cilën shifrat e fundit rezultojnë me ulje të ndjeshme.

Në këtë kontekst, Ministri Xhafaj theksoi nevojën e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, gjë që do të ndihmojë parandalimin e hershëm të këtij fenomeni, si dhe efektivitetin e masave shtrënguese.

Pala holandeze vlerësoi punën e kryer deri tani, informacionin e dobishëm të gjeneruar nga sistemi TIMS, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy policive. Vendosja e oficerëve të kontaktit të vendeve respektive, do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi./tvklan.al