Nëse nuk do të lexonte një letër tronditëse me të cilën do të deklarohej gay, Klodi, një nga konkurrentët e Big Brother Albania do të kalonte pa u vënë re nga gjithë ata të rinj që kanë hyrë në këtë spektakël për të fituar para dhe famë.

I riu, i cili thotë se është nga Lezha, me pohimin e tij ka shkaktuar jo pak zhurmë në opinionin publik shqiptar duke u shënuar si i pari rast ku dikush pranon hapur në media homoseksualitetin e tij. I mbyllur në shtëpinë e “Big Brother”, Klodi e ka të pamundur të njihet me reagimet që ngjall vetëdeklarimi i tij.

Pikërisht në Lezhë dhjetra të rinj të paorganizuar u mblodhën në rrugët kryesore duke refuzuar ta pranonin për bashkëqytetar Klodin. Ditë më pas u mblodhën sërish me lejen dhe mbikëqyrjen e policisë, por ky revansh u përball me një mbështetje publike të aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Ky debat delikat për kushtet e Shqipërisë hapësirën më të madhe e gjen në bisedat e përditshme me argumentet pro dhe kundër. Me dyzimet mes tradicionalizmit konservator dhe qytetarisë evropiane, pjesa më e madhe e opinionit e ka të vështirë të artikulohet me qëndrimet pro dhe kundër kësaj çështje. Për të diskutuar lidhur temën e homofobisë ishin të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan Jorida Rustemi, Elsa Ballauri, Enkel Demi, Ermal Hasimja, Pastor Akil Pano, Altin Goxhaj./tvklan.al