Honda “distancë” me Formula 1

Honda “distancë” me Formula 1

14:55 03/10/2020

Sezonet e dështuara në 5 vitet e fundit e kanë detyruar kompaninë japoneze të motorëve, Honda që të njoftojë largimin nga bota e Formula 1. Furnizimi me motora Honda për skuderitë e Red Bull dhe Alpha Tauri do të ndërpritet duke nisur nga fundi i vitit 2021, me drejtuesit më të lartë të kompanisë që pohojnë se do të përqendrohen në teknologjinë e makina elektronike, e njohur si ajo e emetimeve zero.

Honda zbuloi se strategjia e tyre e përgjithshme e ndërmarrjes kishte ndryshuar dhe ata tani do të rishpërndajnë burimet e tyre për të arritur qëllimin e tyre të neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050.

Honda u kthye në F1 në vitin 2015 në partneritet me McLaren para se të kalonte te Toro Rosso në 2018 dhe të bashkonte forcat me Red Bull në 2019. Skuderitë Red Bull dhe Alpha Tauri kanë fituar çmime të mëdha këtë sezon, duke e bërë Honda-n furnizuesin e vetëm të motorëve që ka fituar me dy skuadra të ndryshme në epokën hibride “V6 turbo” që filloi në 2014 dhe është dominuar nga Mercedes. 

Largimi i Honda do të lërë vetëm Mercedes, Ferrari dhe Renault si prodhues të motorëve në Formula 1. Pas vendimit tronditës të Honda për të lënë F1 në fund të vitit 2021, Red Bull ka nisur një proces vlerësimi të kompanive motorike për të ardhmen.

Klan Plus





Të ngjashme