Dokumentari më i mirë dhe filmi i huaj më i mirë

Filmi dokumentar i Maqedonisë së Veriut “Honeyland”, i regjisorëve Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov, mori dy nominime për Oscar, për dokumentarin më të mirë dhe për filmin më të mirë të huaj. Lajmi u publikua në faqen zyrtare të Çmimeve Oskar.

Ky është filmi i parë në historinë e Maqedonisë me dy nominime për Oskar. “Honeyland” është një film për Atixhe Muratovën, gruaja e fundit kultivuese e bletëve të egra në Evropë, e cila mjaltin e mbledh sipas parimit “gjysmë për mua, gjysmë për bletët”.

Ekipi kishte xhiruar këtë film për tre vjet në lokalitete të ndryshme në Maqedoni. Autorët e filmit nominimet i kanë ndjekur nga Ekuadori.  

Faqja e Facebook-ut të “Honeyland” shpreson se dokumentari do të sjellë ndryshime.

“Filmi provokon një ngushëllim të sinqertë. Është një arritje e madhe. Por më i madh duhet të jetë ndryshimi në të cilin shpresojmë. Ky ndryshim fillon nga secili prej nesh individualisht. Filmi bën thirrje për modesti, kurse kur e shohim dashurinë në sytë e shikuesve, besojmë se mesazhi është lexuar”.

Filmi dokumentar “Honeyland” gjatë vitit 2019 ka fituar çmime prestigjioze në Evropë dhe SHBA, kurse operatorët e filmit Fejmi Daut dhe Samir Luma kanë fituar çmimin për kinematografinë më të mirë. 

Tv Klan