Kryetari i PDK-së në Kosovë, Kadri Veseli, ka reaguar pas Kryeministri Albin Kurti njoftoi se do të heqë taksën 100% ndaj Serbisë.

Në një postim në Facebook, Veseli shkruan se Kosova mund të jetë në rrezik me Albin Kurtin në krye të qeverisë.

Sipas kreut të PDK-së, ideja e për taksën dhe reciprocitetin, ka qenë propozim i tij në Janarin e vitit 2019, për të cilin thotë se në atë Albin Kurti e ka refuzuar.

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar. Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët. E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, shkruan kryetari i PDK-së Kadri Veseli. /tvklan.al