Motra e mbijetuar: Sakrifikuam shumë që të ringjallej

30-vjeçarja Anisa Josifi kishte më shumë se 1 vit që kishte vdekur, por trupi i saj mbahej në shtëpi nga e ëma, Zhaneta dhe e motra Blerta, me idenë se do ringjallej. Mjekët ligjore kanë zbardhur një pjesë të ngjarjes horror në lagjen e Kombinatit në Tiranë.

Nëna dhe vajza po predikonin veprime ekstreme për të ringjallur Anisën. Rrinin me ditë të tëra pa ngrënë, e lyenin trupin e vdekur me vajra, uthull e solucione të tjera për të mos u dekompozuar dhe nuk pranonin të takonin askënd muajt e fundit.

Mjekët thonë se nga këqyrja paraprake rezulton që trupi nuk ka dëmtime. Ndërsa 56-vjeçarja Zhaneta Josifi, sipas autopsisë, ka ndërruar jetë ditët e fundit. Mjekët thanë se gruaja kishte humbur shumë peshë dhe shkaku i vdekjes ka ardhur nga moskonsumimi i ushqimit për ditë me radhë.

Blerta Josifi gjithashtu nuk kishte ngrënë për ditë me radhë. Ajo gjendet tashmë në Urgjencën e Spitalit Psikiatrik.

Disa herë fqinjët kanë tentuar të komunikojnë me vajzat apo nënën, por ato refuzonin shpesh. Erën e rëndë që ata kishin ndjerë, mendonin se vinte nga tubacionet. Edhe daja i vajzave kishte tentuar të hynte disa herë në banesë.

Kur ai dhe fqinjët shkonin në shtëpinë e Zhaneta Josifit, ajo u thoshte se vajza e saj Anisa, ndodhej në dhomë dhe do të dilte pasi të plotësonte ditët e Zotit, ose shpesh justifikohej se ajo po flinte gjumë.

Blerta ka folur shumë pak për policinë. Ajo ka thënë se kanë sakrifikuar shumë që motra të ringjallej, duke e quajtur një proces normal mbajtjen e trupit të vdekur brenda banesës.

Jashtë kamerave të gjithë banorët shprehen se gratë ishin pjesë e dëshmitarëve të Jehovait. Ata kanë parë shpesh aty njerëz me kostume dhe që në dorë mbanin broshura, duke u futur tek banesa.

Por pas këtyre pretendimeve, Dëshmitarët e Jehovait kanë dalë me një deklaratë ku thonë se gratë nuk bënin pjesë në grupin e tyre dhe se ky besimi i tyre nuk e predikohet dhe as nuk pranohet.

E motra e Zhaneta Josifit, që ndodhet vetëm pak metra më larg, nuk ka pranuar të flasë publikisht, por ajo tha se nuk fliste me Zhanetën, për shkak edhe të sjelljeve të tyre jashtë normales.

3 javë më parë policia ka shkuar tek banesa e Zhaneta Josifit, pas ankesave të vëllait e fqinjëve, por 56-vjeçarja u ka thënë se nuk dilnin nga banesa për shkak të koronavirusit dhe se kishin hallet e tyre.

Zjarrfikësit u futën nga kjo dritare pasi asnjëra prej tyre nuk iu përgjigj më thirrjeve. Babai i vajzave kishte ndërruar jetë 5 vjet më parë. Policia dyshon se edhe ai është vetëflijuar në të njëjtën formë.

Tv Klan