Nismës së emisionit “Stop” për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, u janë bashkuar 4 shoqata në Suedi: “Liria”, Rrjeti Shqiptar në Suedi”, “Vajzat Shqiptare në Suedi”, “Shqiptarët më të mirë të Suedisë” me 12 tonë ushqime, veshmbathje e sende të nevojave të ndryshme.

Një pjesë të tyre emisioni “Stop” ua çoi banorëve të strehuar tek “Egi Center” dhe “Hotel Delux”.

Edhe “Zepa Natyral” ka sjellë në këtë objekt një furgon me produkte të vetat.

“Ne e kemi shprehur herë pas here solidaritetin, kjo është jo vetëm që ne t’ia lehtësojmë sado pak këtë situatë që familjet gjenden, por ne përpiqemi të jemi gjithë kohës me shpirt dhe zemër pranë tyre. Ne kemi marrë një kamion plot me ushqime dhe produkte bazike për jetesën e këtyre familjeve”.

Po kështu fondacioni Firdeus solli ushqime për këto familje.

“Ne sapo dëgjuam thirrjen e Saimirit dhe Gentit u solidarizuam dirket. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi aktiv, jo vetëm për pjesën e tërmetit por për çdo nevojë që do të kenë shqiptarët. Kjo është një ngarkesë me ushqime dy javore që u mjafton  një familjeje me 5 ose 6 anëtarë.

Pronari i Egi Center i falenderon kompanitë dhe shoqatat, që e kanë ndihmuar, por kërkon edhe prezencën e shtetit.

“Po shohim që ka shumë vështirësi, po ndihemi dhe ne të pafuqishëm për të ndihmuar si nga ana financiare si dhe nga ana e njerëzve. Të gjithë këta zonja dhe zotërinj janë banorë të Unazës, vijnë në 7 të mëngjesit dhe ikin në 12. Punojnë me 2 turne. 10 gra dhe 15 meshkuj që bëjnë furnizime, lajnë gatuajnë dhe u rrinë në dispozicion këtyre familjeve.”

Por ndryshe nga sa kryeministri i vendit deklaroi pas tragjedisë, teksa tha se në çdo hotel dhe qendër ku do të ketë të strehuar, do jetë nga një ministër që do të marrë në patronazh një infrastrukturë, banorët thonë se nuk ka ardhur asnjë zyrtar për tu interesuar për ta.

“Një tjetër subjekt privat që ka strehuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, edhe tek ky hotel nuk po shoh ndonjë kujdestar ministër, as bashki dhe as emergjenca civile”, shprehet gazetarja e Stop.

“Në këtë qendër mungon mësuesit, këtu nuk është instaluar asnjë kuzhinë, nuk ka staf për të ndihmuar, vullnetar mund të punohet dy ore jo 12 orë. Nga bashkia e Tiranës kanë ardhur dy persona që kanë treguar interes, Mimoza Agalliu nga qendra sociale në Kombinat dhe Rezart Substarova. Kaq. Por detyrim ka shteti për këta banorë. Ose të sjellë punonjësit e vet ose të paguaj ytë gjithë vullnetarët që po punojnë në këtë qendër. I bëjmë thirrje institucioneve të shtetit që në na ndihmojnë”, shprehet Flamur Dajçi, i cili hapi dyert e hotelit të ti për banorët e prekur nga tërmeti.

Pas këmbënguljes së “Stop”, reagoi Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, i cili tha, se do komunikojë me sektorin e strehimit dhe kryetarin e bashkisë, që këta banorë të trajtohen me bonus qiraje.

Drejtori Erind Bejko– Odeta! Do të komunikoj tani me Drejtorinë e Shërbimit Social, që merret me pjesën e strehimit dhe do të të them pa merak! Bashkëpunimin do ta kesh nga unë 100%.

Punonjësi i Bashkisë- Në momentin, që unë jam vënë në dijeni nga Bashkia, kam ardhur.

Gazetarja- Mund të krijoni shërbime me drejtoritë tuaja këtyre familjeve në ndihmë, ushqime, medikamente, shërbim mjekësor, psikologjik dhe social?

Punonjësi- Në momentin, që unë jam vënë në dijeni dhe zotit Flamur i kam thënë, çfarë ka mungesë bazike? Bazike, ka kërkuar ushqim.

Gazetarja– Ka edhe një gjë tjetër pastaj, ta mendojmë një çikë koston e Flamurit. Dakord, unë e hapa këtë për humanizëm…

Qytetari Flamur Dajçi– Por kostot e banorëve, që lajnë, shpëlajnë, gatuajnë…

Gazetarja- Mund të flisni me Ujësjellës-Kanalizime, mund të flisni me OSHEE-në, që të paktën t’i bëhet…

Punonjësi- Çdo shqetësim të Flamurit, unë e kam referuar.

Qytetari Flamur Dajci–  E ke referuar, po s’ka zgjidhje!

Gazetarja-  Po të sillni sa më shumë staf, që të merren me fëmijët, ose edhe vullnetarë, se ato zonjat, që kanë punuar 10 ditë…

Qytetari Flamur Dajçi-  Jo 10 jo, 16!

 Gazetarja- 16 ditë!

Punonjësja- Ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ne e dimë. Është treguar solidar dhe ne këtë gjë e dimë që në fillim.

Gazetarja- Shtoni forcat dhe fokusohuni tek këto dy hotele!

Punonjësi- Është atashuar këtu, punonjësi social, psikologe…

Punonjësja- Sot kemi plotësuar formularët e strehimit, ku të gjithë individët do të dalin në banesë me qira.

Qytetari Flamur Dajci– Po!

Punonjësja– Do të paguhet bonusi i qirasë për 2-3 ditë.

Qytetari Flamur Dajci– Ok!

Punonjësja- Individët e tjerë, që nuk janë banorë të Tiranës, me këto individë të tjerë kemi plotësuar përsëri një formular strehimi, do t’i referojmë tek Bashkitë respektive, me formularët e strehimit të dërguar nga ne, bashkisë ku është, Burrel, Mamurras. Do i ndjekim edhe me telefona.

Gazetarja- Dakord! Po gjatë kësaj kohe, çfarë do të bëhet?

Punonjësja- Të gjithë individët do të rrinë tek qendrat e mia sociale. Dakord? /tvklan.al