Presidenti serb: Fjalët e mia u keqinterpretuan

Deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për rrezikun e një lufte të ngjashme me Nagorni-Karabakun kanë zgjuar reagime të shumta në Kosovë. E para ishte ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, e cila kërkoi reagim të BE-së dhe NATO-s për kërcënimet me luftë të Vuçiçit. Ndërsa kryeministri Hoti këto deklarata i konsideron si joadekuate.

“Nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, nuk janë në frymën e procesit të dialogut. Koha e konflikteve ka kaluar. Çështjet e hapura duhet t’i zgjidhim përmes dialogut”.

Pas këtyre reagimeve ka folur sërish presidenti serb. Ai përsëriti se konfliktet e ngrira mund të shpërthejnë, por duke shtuar se Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi me Kosovën.

“Ata në Kosovë kanë problemet e tyre dhe arsyet përse shpikin. Deklarata ime ka qenë e qartë, kam folur që të shmangim një politikë të konflikteve të ngrira dhe kam thënë që edhe konflikti në Karabah ka qenë i ngrirë dhe është shkrirë. Konflikti i ngrirë do të nënkuptonte se kushdo në të ardhmen mund të na sjellë deri tek një katastrofë dhe konflikt. E këtu unë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqe dhe të bëjmë zgjidhje të kompromisit. Për të gjithë kjo ka qenë e qartë. Madje në Serbi më kanë akuzuar për politikë tradhtie. Ata kanë arsyet e tyre, për mua është me rëndësi të ruajmë paqen pasi kjo është dhe do të ngelet politika e Serbisë”. 

Ndërsa Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë këto deklarata, teksa NATO thotë se KFOR-i mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, për të siguruar mjedis të sigurtë në lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Tv Klan