Lajçak: Dialogu në rrugë të drejtë pas 20 muajsh

Përmbyllet me sukses video-konferenca e parë e ndërmjetësuar nga përfaqësuesit e BE-së, mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Në takimin virtual u përcaktua axhenda e raundit të dialogut që do të mbahet më 16 korrik në Bruksel, ku udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të jenë të pranishëm fizikisht. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak e konsideroi takimin si konstruktiv.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh. Ramë dakord për elementët kryesorë të procesit dhe axhendës së takimit të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel”.

Kryeministri Hoti bëri të ditur se palët gjatë këtij komunikimi në distancë kanë rënë dakord për axhendën e takimit që do mbahet të enjten, ndërsa shtoi se pala kosovare shkon në të për të arritur një marrëveshje përfundimtare e cila përfshin njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Dialogu nuk ka alternativë, dhe vetëm përmes dialogut mund t’i zgjidhim çështjet me Serbinë. Kam propozuar platformën e dialogut, ne në këtë proces hyjmë vetëm për njohjen reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.

Miratimi i axhendës u përshëndet edhe nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e të enjtes.

Pjesë e takimit virtual ishte edhe shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell, i cili ftoi palët të punojnë për një marrëveshje që u jep fund pengesave për dy vendet në rrugën e integrimit në BE. Ai theksoi se kjo kërkon guxim politik dhe angazhim në frymën e kompromisit nga palët.

Bazën për rikthimin e dialogut e vunë liderët e Francës dhe Gjermanisë, Merkel e Makron, që organizuan samitin virtual të së premtes. Rikthimi i dialogut u përshëndet edhe nga Uashingtoni.

Tv Klan