Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të martën se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me “njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve”.

Në një njoftim për media të Qeverisë së Kosovës thuhet se Hoti i bëri këto komente në një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Vendet e Quint-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Në takim mori pjesë edhe koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.

Hyseni, të enjten, pritet të takojë në Bruksel udhëheqësin e delegacionit serb, Marko Gjuriq.

Pritet të jetë ky takimi i dytë në nivel ekspertësh midis Kosovës dhe Serbisë, brenda një jave.

Në takimin e parë, më 23 korrik, palët diskutuan për çështjen e të pagjeturve të luftës, ndërsa në takimin e radhës pritet të bisedohet për bashkëpunimin ekonomik.

Takimet në nivel ekspertësh nuk janë mirëpritur në Prishtinë, ku partitë opozitare, por edhe partnerët e koalicionit dhe presidenca kanë thënë se ato e zvarrisin arritjen e marrëveshjes finale.

Hoti, megjithatë, ka insistuar se me takimet e tilla ka nisur edhe draftimi i marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.

Hoti, më 16 korrik në Bruksel, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ky ka qenë takimi i parë i përfaqësuesve të lartë politikë qysh në fund të vitit 2018.

Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Në takimin e sotëm me ambasadorët e QUINT-it dhe Apostolovan, Qeveria e Kosovës tha se është diskutuar edhe për masat që po ndërmarrin autoritetet për parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. /REL