Asnjë reagim nga qeveria e Kosovës për propozimet nga SHBA

Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar katër rekomandimet që i ka dhënë SHBA-ja për menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, e që është një nga zotimet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington.

Por për këtë pikë të marrëveshjes ka folur ish-kryeministri Avdullah Hoti i cili ka qenë edhe nënshkrues i saj. Duke e cilësuar të rëndësishme marrëveshjen ka kërkuar zbatimin e saj nga qeveria Kurti.

Gjithashtu ka  kritikuar Qeverinë për kundërshtimin e marrëveshjes duke kërkuar nga Kurti qw të deklarohet nëse kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e Kosovës.

“Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ka qenë absurde atëherë të deklarohet se kjo marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë cenon sovranitetin e Kosovës. Unë pres deklarim të qartë nga Qeveria në pyetjen se a e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fezibilitetit për Liqenin e Ujmanit e përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës. E udhës do të ishte të kërkohej falje, ju pata thënë atëherë të mos nguten por edhe tash ju them”.

Në raportin përfundimtar të cilin ambasada amerikane  ua ka dërguar Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë është propozuar që palët ta marrin si shembull mënyrën e funksionimit të lumit “Kolumbia”. Si pikë e parë e rekomandimeve kërkohet përmirësimi infrastrukturës së ujit, përmes zbatimit  të Bankës Botërore për riparimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e kanalit të Ibër-Lepencit, përfshirë rezervuarin e Mihaliqit.

Në rekomandimin e dytë kërkohet zbatimi i  sistemit të Kontrollit Mbikëqyrës dhe Marrjes së të Dhënave në hidrocentralin e Ujmanit për t’i rritur të hyrat dhe për ta mbështetur më tej balancimin e ngarkesës.

Duke përdorur këtë sistem, sipas raportit, do të përmirësoheshin infrastruktura e ujit dhe elektricitetit në sistemin e Ujmanit dhe do t’i mundësohej KOSTT-it ta balanconte ngarkesën dhe t’i menaxhonte çmimet rajonale të energjisë elektrike.

Themelimi i një komisioni lumor përmendet në rekomandimin e tretë. Rekomandimi i katërt u propozon Kosovës dhe Serbisë të eksplorojnë vlerën e parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër, të cilat, sipas raportit, janë produkte të parashikuara e të disponueshme nga Komisioni Evropian, në mënyrë që të përmirësohet planifikimi i operacioneve në sistemin e Ujmanit.

SHBA-ja e cila tash udhëhiqet  nga presidenti Joe Biden, ka kërkuar që të përmbushen zotimet që dy shtetet i nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë.

Tv Klan