Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në dialogun me Serbinë në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova bisedon ekskluzivisht për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për njohje të ndërsjellë, e cila marrëveshje, sipas tij, duhet të jetë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obliguese.

Hoti i ka bërë këto komente në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, në një interpelancë të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me rrjedhën e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Çdo dakordim, për cilatdo elemente të marrëveshjes, është dakordim vetëm parimor, sepse nuk ka pajtim për asgjë përderisa nuk ka pajtim për çdo gjë, përkatësisht përderisa nuk ka pajtim për njohje reciproke”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se çështja e personave të pagjetur, për të cilën edhe është thirrur interpelanca, është tema e parë të cilën e ka hapur pala e Kosovës pas rinisjes së dialogut dhe se ajo përbën “vetëm një pikë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

“Këtu pritet të specifikohen veprimet konkrete që duhet ndërmarrë për ta përmbyllur këtë temë të dhimbshme për shumë familje kosovare dhe për të gjithë opinionin”, ka theksuar Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka marrë dhe nuk do të marrë asnjë zotim pa e pranuar Serbia njohjen e Kosovës.

Hoti ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën pala e Serbisë insiston që të bisedohet ne kuadër të dialogut në Bruksel.

“Lidhur me temën e Asociacionit, qëndrimi jonë është që kjo temë nuk hapet në dialog, pasi që ka një marrëveshje të vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe përtej kësaj ekziston edhe marrëveshja e parimeve për Asociacionin e vitit 2015, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili-Ahmeti, ka thënë se partia e saj propozon një rezolutë, për të cilën ka kërkuar miratimin nga Kuvendi i Kosovës.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja, siç ka theksuar ajo, parasheh që kryeministri i Kosovës të obligohet që pas çdo raundi të bisedimeve në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, t’i raportojë Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 7 ditë pas mbajtjes së raundit të bisedimeve, si dhe ky raportim të përcillet edhe përmes një raporti të shkruar që do t’iu dorëzohet deputetëve së paku një ditë para raportimit.

“Përveç raportimit, Kuvendi i Kosovës, në çfarëdo kohe, mund ta ftojë kryeministrin për të raportuar lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë Ismaili-Ahmeti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës i plotëson kushtet formale dhe juridike.

“Në pjesën më të madhe të saj është e përkrahshme dhe besoj që me një konsultim të vogël që do të kemi para se të dalë në votim (propozimi i rezolutës), ne do ta krijojmë mundësinë që kjo rezolutë të përkrahet dhe të bëhet rezolutë e Kuvendit të Republikës (së Kosovës)”, ka tënë Gashi.

Dialogu ndërmjet Kosovë dhe Serbisë ka rinisur që nga Samiti i Parisit më 10 korrik, i cili ishte mbajtur me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emannuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Dialogu ishte ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të një takse që u kishte vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vizitën e përfaqësuesit të tij të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Prishtinë dhe më pas edhe në Beograd, për, siç është thënë, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Formimi i këtij Asociacioni është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës./REL