“Me Serbinë bisedoj vetëm për njohje reciproke”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u është përgjigjur kritikave të Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, për mungesë eksperience në drejtimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Hoti, duke folur gjatë një konference për mediat, u shpreh se Osmani ashtu si edhe ai e ka mandatin e parë si drejtuese e një institucioni shtetëtor dhe si e tillë edhe asaj i mungon eksperienca.

“Kryetarja e Kuvendit nuk ka përvojë me udhëheqjen e Kuvendit, dhe është detyra e saj e parë. Dhe detyra ime është vetëm në mandatin e parë po ashtu”.

Gjithsesi, ai ka bërë të qartë se mandati i tij në negociatat me Serbinë është e përcaktuar dhe se ai bisedon me palën serbe vetëm për njohje reciproke mes dy vendeve dhe normalizim të marrëdhënieve.

“Ne kemi hyrë në dialog për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë. Kemi dy qëllime; njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Dialogu është për të përmbyllur mosmarrëveshjet me Serbinë”.

Ai ka komentuar edhe emërimin e Skënder Hysenit në pozitën e Koordinatorit Shtetëror, për të cilin tha se ka kompetencë ta përfaqësojë atë në procesin e dialogut.

“Në përputhje me platformën tonë në procesin e dialogut, kam emëruar dje Skënder Hysenin si Koordinator Shtetëror për procesin e dialogut. Ai flet në emrin tim në tavolinën e dialogut, ai ka këtë kompetencë të më përfaqësojë mua si Kryeministër në procesin dialogut”.

Të enjten, Koordinatori Shtetëror Skënder Hyseni do të udhëtojë në Bruksel ku do të vijojë negociatat me palën serbe për çështjen e të zhdukurve.

Tv Klan