Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është shënuar progres në kuadër të dialogut.

Hoti përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentuar në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai theksoi se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.

“Bisedimet do të vazhdojnë në nivelin teknik të mërkurën”, ka thënë Vuçiç, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më herët se, pas takimit, do të ketë një prononcim të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.

Borrell theksoi se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës u mirëpritën në fillim në takime të ndara, nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ndërsa i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të marrë pjesë në negociata.

Në fakt, dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i së enjtes paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.

Ky, gjithashtu, është takimi i parë në të cilin nuk mori pjesë ish-bashkëbiseduesi kryesor i Brukselit nga Prishtina – presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ky raund i dialogut po zhvillohet në Bruksel, derisa Thaçi po vazhdon të dëshmojë para Prokurorisë Speciale në Hagë, kundër të cilit është dërguar një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.Pas njoftimit nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë se kanë paraqitur aktakuzën te një gjyqtar i procedurës paraprake, zyrtarët e BE-së e ndërprenë komunikimin me Thaçin dhe e kthyen vëmendjen e tyre te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti e përfaqësoi Kosovën, në një seri takimesh të nivelit të lartë të organizuar javët e fundit./REL