Vijojnë negociatat në Bruksel, reagime në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, ka vazhduar qëndrimin në Uashington me takime të tjera.

Ai ka takuar edhe Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo i cili e ka vlerësuar lart marrëveshjen e nënshkruar. Hoti thotë se ka marrë përkrahje nga Pompeo, i cili ka treguar gatishmërinë e SHBA-së për përkrahje në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Hitorike marrëveshjen e ka cilësuar edhe këshilltari për siguri i Presidentit Trump, Robert O’brien. Ndërsa ndërmjetësuesi i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, vlerësoi se evropianët duhet të jenë të kënaqur me këtë marrëveshje. Kjo çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë është historike, ka thënë Grenell.

Për këshilltarin tjetër, Jared Kushner, kjo marrëveshje është një tjetër kapitull që kjo administratë ka arritur të shkruajë për ta bërë botën më të sigurtë dhe më paqësore.

Bashkimi Evropian ka reaguar me një deklaratë të përmbajtur për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington. Nëpërmjet zëdhënësit, BE thotë se mirëpret palët në Bruksel këtë javë dhe javën e ardhshme.
Sot dhe nesër në Bruksel po zhvillohen takime në nivel ekspertësh për çështjen e të pagjeturve, atë të zhvendosurve dhe bashkëpunimin ekonomik.

Ndërsa të hënën pritet sërish të takohen Kryeministri Avdullah Hoti me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel si vazhdimësi e dialogut ndërmjet këtyre dy vendeve.

Ndërkohë, kryetarja e Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar për marrëveshjen e djeshme të nënshkuar në Shtëpinë e Bardhë.
E ka vlerësuar lartë njohjen nga Izraeli duke e cilësuar si një ndër njohjet më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës në një kohë të gjatë.

Ndërsa ka kritikuar delegacionin e Kosovës që sipas saj nuk arriti t’i sjellë vendit atë që e premtoi, njohjen reciproke, mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve siç është Ujmani, mospranimin e mini-shengenit ballkanik. Ajo ka kritikuar delegaconin e Kosovës edhe që ka pranuar të heqë dorë për një vit nga aplikimi në organizata ndërkombëtare.

Marrëveshjen e kanë kritikuar edhe dy partitë opozitare LVV dhe PDK. Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se e përkrahin marrëveshjen sa i përket aspektit të investimeve.

Tv Klan