Bisedimet me Serbinë, themelohet Këshilli i Ekspertëve

Pavarësisht zhvillimeve të fundit pas aktakuzave të publikuara nga zyra e prokurorit të specializuar në Hagë, Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun me Serbinë. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit të Ekspertëve për Dialog. Pritet të emërohet edhe një koordinator për dialog.

“Këshilli bën analiza specifike dhe këshillon kryeministrin dhe qeverinë për çështje të dialogut me Serbinë, si dhe përgatit raporte dhe dokumente për pozicionin e Kosovës në dialog”.

Për Kryeministrin Hoti, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë.

“Ne duhet të tregojmë përkushtimin dhe gatishmëri si shtet në këtë proces. Është e përgatitur në këtë proces dhe është bërë një punë e madhe në secilën temë të mundshme që duhet të fillojë nga njohja reciproke”.

Dialogu Kosovë-Serbi ishte ndërprerë në vitin 2018, ndërsa më Qershor ishte paraparë një takim i palës kosovare dhe asaj serbe në Washington që do të shënonte edhe rinisjen e dialogut, por që u anulua pasi që gjatë rrugës së ekipit të Kosovës për në Washington u publikua aktakuza nga zyra e prokurorit të specializuar në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kreu të PDK-së Kadri Veseli.

Disa ditë pas publikimit të aktakuzës në Kosovë qëndroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kërkoi që të vazhdohet dialogu ndërsa theksoi se bashkimi kombëtar i të gjithë shqiptarëve është nevojë emergjente. 

Tv Klan