Hoti tërhiqet nga diskutimet për Asociacionin në dialogun e Brukselit


Hoti tërhiqet nga diskutimet për Asociacionin në dialogun e Brukselit

12:40 24/09/2020

Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të enjten, tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, tha Hoti.

Hoti nuk ka konfirmuar nëse takimi i ardhshëm në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuciq, i paraparë për 28 shtator, do të mbahet apo jo.

“Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel a jo, do ta shihet në ditët e ardhshme, por ne jemi të vendosur që të çojmë përpara procesin e dialogut sepse është interes strategjik i Kosovës, i rajonit dhe Evropës që sa më shpejt të përmbyllet kjo çështje mes Kosovës dhe Serbisë dhe rajoni të udhëtojë drejt integrimeve evropiane”, tha Hoti.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se ende nuk është e sigurt nëse do të mbahet ky takim sepse ende nuk kanë konfirmim nga palët.

Arsye për moszhvillimin eventual të takimit mund të jetë refuzimi i Kosovës për të biseduar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje për të cilën u tha se do të diskutohet në kuadër të temës së “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Në BE kanë pohuar se për të diskutuar për këtë temë, sikur edhe për çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq ishin pajtuar gjatë takimit të tyre të mbajtur para dy javësh.

Vet Hoti, më 7 shtator në Bruksel, kur është mbajtur takimi i fundit me presidentin serb Aleksandar Vuciq, kishte konfirmuar se atë ditë janë diskutuar dy tema të ndjeshme, obligimet financiare, që nënkupton dëmet e luftës, borxhin publik dhe se pala serbe e ka shtruar çështjen e Asociacionit.

Hoti ka deklaruar atë ditë se për këto dy çështje do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme në Bruksel.

“Kemi një marrëveshje të vitit 2015 që është arritur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është shtruar kjo marrëveshje në tavolinë për zbatimin e saj dhe ne tash do të diskutojmë si pjesë të marrëveshjes përfundimtare, duke mos e bërë asnjë veprim derisa nuk e përmbyllim marrëveshjen finale”, pati thënë Hoti.

Për temat pronësore dhe financiare delegacionet e të dyjave vendeve në nivel të ekspertëve biseduan javën e kaluar dhe BE-ja paralajmëroi se në ditët në vijim do të diskutohet për çështjen e “aranzhimeve për komunitetet joshumicë”.

Delegacioni i Serbisë, siç kishin konfirmuar edhe palët në dialog, kishte insistuar që për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të diskutohej edhe në takimin e fundit të ekspertëve, por pala kosovare kishte refuzuar një gjë të tillë.

Pas atij takimi, shefi i delegacionit të Serbisë në dialog, në kuadër të nivelit të ekspertëve, Marko Gjuriq kishte thënë se Serbia do të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e radhës dhe do ta kushtëzojë atë me gatishmërinë e Prishtinës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicës serbe. Gjuriq ishte shprehur se Serbia pret që BE-ja dhe vendet anëtare, të bëjnë presion mbi Prishtinën zyrtare lidhur me këtë çështje.

Disa burime diplomatike pohojnë se, nëse delegacioni i Kosovës vazhdon të kundërshtojë që të diskutohet për “aranzhimet për komunitetet joshumicë”, atëherë do të jetë e vështirë që të organizohet takimi ndërmjet Hotit dhe Vuçiqit.

“Nuk mund të bisedohet vetëm për temat të cilat i dëshiron njëra palë, e të mos diskutohet edhe për temat që paraqet pala tjetër”, ka thënë një burim diplomatik në Bruksel.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë./REL



Të ngjashme