Hoti: Veprimet tona në përputhje me Kushtetutën


Hoti: Veprimet tona në përputhje me Kushtetutën

15:53 08/08/2020

PDK: Veprim i toleruar nga qeveria, cënim i sovranitetit

Futja e xhandarmërisë serbe 1 kilometër brenda territorit të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, ka sjellë reagime të shumta në Kosovë. Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur se organet përkatëse janë angazhuar për vlerësimin e rastit, ndërsa theksoi se qytetarët e Kosovës do kenë mbrojtjen e autoriteteve shtetërore.

“Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, tha Hoti.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër prezencën e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.

“Ky veprim i toleruar nga qeveria e Kosovës dhe KFOR-i është cenim i rëndë i sovranitetit dhe sigurisë kombëtare”, thuhet në reagimin e PDK-ë.

Por Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë janë duke e hetuar këtë rast.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe zyra e KFOR-it, e cila ka sqaruar se bëhet fjalë një patrullim të sinkronizuar mes elementëve të KFOR-it dhe forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare. KFOR bën të ditur gjithashtu se që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri.

Banorët lokalë të kësaj pjese të territorit të Kosovës shpesh herë janë ankuar se xhandarmëria serbe futet në territorin e Kosovë, por kësaj radhe kanë dëshmi edhe me video.

Tv Klan




Të ngjashme