Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar fillimin e proceseve gjyqësore për Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin – si dhe atë që do të fillojë nesër për Rexhep Selimin – ngjarje tronditëse për historinë.

Ai, në një konferencë për media, ka thënë se një zhvillim i tillë vë në dyshim dhe pikëpyetje themelet e shtetit të Kosovës.

“Fillimi i procesit gjyqësor ndaj kryetarit të PDK-së Kadri Veseli sot, ndaj ish-kryetarit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi dje, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi që ndodhi po ashtu dje, si dhe ndaj deputetit Rexhep Selimi që do të zhvillohet nesër përbën një ngjarje tronditëse për historinë, por edhe për politikën e sotme në Kosovë”.

“PDK-ja është më e prekur nga një proces i tillë gjyqësor, por janë edhe partitë e tjera, por ajo që është e përbashkët është se kjo është një goditje ndaj luftës së drejtë, të pastër dhe mbrojtëse të UÇK-së. Ky proces, që filloi këtë javë, vë në dyshim dhe në pikëpyetje themelet e shtetit të Kosovës që është i ndërtuar mbi luftën legjitime të popullit tonë për liri dhe pavarësi”.

Hoxhaj është shprehur i bindur se të gjithë luftëtarët e UÇK-së – që po përballen me procese gjyqësore në Gjykatën Speciale – do të kthehen faqebardhë, pasi lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.

“Kjo luftë fitoi edhe zemrat dhe mendjet e botës demokratike, meqë kanë qenë dy arsye pse perëndimi e ka mbështetur Kosovën – gjenocidi që ushtroi Serbia në Kosovë dhe lufta e drejtë e UÇK-së. Lufta e Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe shumë luftëtarëve të tjerë e ka bërë Ballkanin e sotëm më të drejtë dhe më paqësor, prandaj ne jemi të bindur në pafajësinë e tyre dhe jemi të bindur që do të jenë fitimtarë dhe faqebardhë në një proces të tillë. Për më shumë edhe Kosova ka qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë, sepse e vërteta e Kosovës është e pandryshueshme – Kosova ka qenë viktima, derisa Serbia ka qenë agresori”.

“Derisa ne po përballemi këto ditë në Kosovë me këtë goditje, Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët të regjimit të Millosheviqit të cilët asnjëherë nuk janë dënuar dhe asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh këto ditë për të goditur arritjet e Kosovës kudo”.

Ai ka thënë se situata në të cilën ndodhet vendi kërkon unitet të brendshëm, njofton Klan Kosova.

“Në një situatë të tillë kritike në të cilën është vendi, ne si PDK bëjmë thirrje për vetëdije të lartë patriotike, për unitet të brendshëm në Kosovë dhe për solidaritet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni Veriore dhe kudo që jetojnë shqiptarët”.

“Kjo është padyshim situata më e vështirë dhe më komplekse politike që ka pasë vendi nga viti 1999 e deri më sot. Një situatë e tillë nuk duhet të na gjejë të përçarë dhe të papërgatitur. Kjo është një situatë e vështirë edhe për vetë PDK-në. Por, ne jemi parti e shpresës, besimit, optimizmit dhe këtë gjendje të vështirë dhe të jashtëzakonshme do ta shndërrojmë në forcë për t’i shërbyer Kosovës dhe interesave jetike të saj. PDK-ja i ka prirë çdo herë procese jetikeve për Kosovën – lirisë dhe pavarësisë – dhe ka qenë protagoniste në ndërtimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Ai ka kërkuar nga strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së që ta çojnë përpara vizionin e Kadri Veselit, derisa ka shtuar se kur “PDK-ja është e fortë, edhe Kosova do të bëhet më e fortë”.

“Dua t’iu drejtohem strukturave, anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së dhe i ftoj që dhimbjen që e përjetojmë këtë ditë, sot dhe dje, që ta kthejmë në fuqi për ta çuar përpara vizionin e Kadri Veselit. Jam i bindur se mënyra e vetme për të treguar respekt dhe dashuri për liderët tanë do të jetë që të jemi sa më shumë të përkushtuar dhe angazhuar që PDK-ja të jetë e fortë, dhe kur PDK-ja është e fortë edhe Kosovën do ta bëjmë më të fortë”./klankosova