100 ditë pas marrjes së mandatit si kryeministër i vendit, Sali Berisha është përballur me gazetarët në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

I pyetur nëse ka mbajtur premtimet e dhëna për këto muaj qeverisja kryeministri u shpreh se jo vetëm i ka mbajtur ato, por edhe i ka tejkaluar.  

“Unë i kam realizuar të gjitha premtimet, madje i kam tejkaluar. I ftova të gjithë përfaqësuesit e mediave në kryeministri dhe meqë ju jeni grindësit e përjetshëm të pushtetit iu dorëzova atë çfarë është realizuar dhe sot vij si njeri i fjalës së mbajtur. Ne kemi vjelur 120 milionë dollarë më shumë se ç’është vjelur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me taksa dhe tatime dhe po progresojmë administrimin dhe vjelien e tyre. Rritja ekonomike me 8% është premtim për katër vite dhe unë ju garantoj që në fund të 4-vjeçarit do të ketë rritje me 8%. Ju mund ti cilësoni si të doni 100 ditët e para, por ata janë ditët e themeleve të ndryshimit sepse në 100 ditë ne paraqitëm themelin e shërbesave”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu u përball edhe me pyetjet e gazetarëve Mustafa Nano, Mero Baze, Baton Haxhiu, Andi Bushati, Mentor Nazarko dhe Armand Shkullaku./tvklan.al