Opinion-Rruga Durrës-Kukës-Morinë është një prej investimeve më të mëdha të 100 viteve të fundit, një rrugë që ka një kosto prej 1 miliardë eurosh.

Procedurat e tenderimit të një prej segmenteve të kësaj rruge, Rrëshen-Kalimash ka ngjallur mjaft debate dhe hetimet lidhur me të kanë nisur që prej Vjeshtës së vitit të kaluar. Me kërkesë të Prokurorisë Bashës iu hoq imuniteti në mënyrë që të hetohej për shpërdorim detyre në këtë projekt shumë të madh.

Për të diskutuar mbi këtë ngjarje ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ministri i Jashtëm Lulzim Basha. Ai u shpreh se Rruga e Kombit është projekti më transparent në historinë e shtetit shqiptar.

“I kam ofruar Prokurorisë dëshminë time, e cila nuk u mor parasysh deri më datë 10 Dhjetor dhe kjo dëshmi nuk është marrë parasysh. Që unë jam thirrur në Prokurori dhe nuk kam shkuar, kjo është një sajesë mediatike dhe e Ramës. Unë kam deklaruar se sa herë të kërkohet dhe të jetë e nevojshme unë do të paraqitem në Prokurori. Jam në dispozicion të ligjit dhe organeve të ligjit. As unë dhe asnjë zyrtar i shtetit nuk ka përfituar nga ky projekt. Ky është projekti më transparent në historinë e shtetit shqiptar”, tha Basha./tvklan.al

I ftuar: Lulzim Basha.