Ilir Meta sëbashku me 10 deputetë të tjerë të Parlamentit shqiptar hynë në një grevë urie dy javë më parë. Greva zgjati 8 ditë dhe pas ndërprerjes Meta ka deklaruar se në momentin që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë aprovuar kodin zgjedhor, do ta vazhdojë betejën më dy partitë kryesore përmes formave të tjera si protestat.

LSI ka lajmëruar se ditën e enjte do të mbahet një protestë në Tiranë kundër aprovimit të kodit. Ky kod tashmë ka kaluar, por për të diskutuar lidhur me qëndrimin që do të mbaj LSI, kreu i kësaj lëvizje, Ilir Meta ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Përball tij ishin analistët Andi Bejtja dhe Mentor Nazarko.

“Është e vërtetë që kodi kaloi, por kaloi me 2000 forca policie dhe speciale rreth parlamentit, si asnjë kod tjetër. Na kujton kohën kur Berisha u zgjodh President në 1997. Ky kod është jashtë standardeve dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ky është pikërisht tmerri që po ndjejnë nga tkurrja e tyre e vazhdueshme. Nuk po bashkëpunohet për interesat e qytetarëve, por po bashkëpunojnë për të nxjerrë jashtë sistemit demokratik këtë kod, ashtu siç bënë me kushtetutën. Këtë gjë ata po bëjnë për të vendosur një pushtet absolut dhe kjo është e qartë. Ata janë të dy bashkë në pushtet, njëri është në qeveri, tjetri në bashki”, tha Meta./tvklan.al