Opinion-Shumë pak njerëz duhet ta kenë menduar mëngjesin e 11 Dhjetorit të 1990-ës, që duke zgjedhur përfaqësinë e studentëve që do të takonin presidentin e vendit Ramiz Alia, në të vërtetë po zgjidhnin atë që do të ishte klasa e ardhshme politike e vendit. E ardhmja e Shqipërisë dhe ata që do ta orientonin atë dukej se po merrte formë dhe të gjithë ata që drejtojnë sot vendin janë produkt direkt apo indirekt të atij Dhjetori të largët të 1990-ës. Ky vit do të ishte ai që do të zgjidhte brezin e tretë politik shqiptar.

Disa prej protagonistëve të takimit me Presidentin ishin të ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Bëhet fjalë për Arben Imamin, Ilir Metën, Blendi Gonxhen, Skënder Gjinushin, Preç Zogajn, Ben Blushin. Gjatë emisionit secili prej të ftuarve rrëfeu se si u bë pjesë e takimit me presidentin, takim i cili do të ndikonte në karrierën e tyre.

“Unë isha i ri në atë kohë dhe ishte fat të ishe pjesë e Akademisë së Arteve ku atmosfera ishte e magjishme për të diskretituar regjimin”, tha Gonxhe.

“Besoj se nevoja për të shkruar më ka çuar në takimin me Presidentin. Kanë qenë edhe miqtë e përbashkët që më kanë shtyrë. Të ishe student dhe të mos shkoje në protestat e Dhjetorit ishte e pamundur. Nuk kam shkuar me idenë se e dija çfarë do të ndodhte, thjeshtë nuk mund ti rezistoje”, tha Blushi.

“Pati disa riformulime të kërkesave të studentëve dhe më kryesorja ishte zhvillimi i takimit me Presidentin. Ideja ishte për tu njohur pluriprtitizmi”, tha Gjinushi./tvklan.al

Të ftuar: Arben Imami, Ilir Meta, Blendi Gonxhe, Skender Gjinushi, Prec Zogaj, Ben Blushi.