Bota magjike e televizionit, dikur mjaft e ngurtë dhe e kontrolluar në Shqipërinë komuniste filloi të transformohej sëbashku me vendin në vitin 1991. Por fakti që ishte vetëm një televizion nuk përbënte ndonjë konkurrencë të madhe. Situata ndryshoi tërësisht në vitin 1997, kur një seri ekranesh të vogla, pa shumë teknolologji, por ambiciozë filluan të krijojnë një treg të ri mediatik. Ekrani filloi të mos jetë më ekskluzivitet i pak personave të përzgjedhur kryesisht në mënyrë politike, por një treg i hapur dhe konkurrent që filloi të transformojë edhe mënyrën e të bërit gazetari në Shqipëri. Në thuajse 10 vjet të ekzistencës së medias në vend, zhvillimi është evident. Por në këtë botë komplekse dhe të supervizuar nga telespektatorët ka jo pak pikëpyetje që prodhojnë debate. A është televizioni një botë burrash apo grash? Një debat i vështirë dhe kompleks që jo rrallë preokupon jo vetëm ata që janë protagonistë të ekranit, por edhe ata që i ndjekin çdo natë. Dhe për të diskutuar pikërisht mbi këtë temë ishin të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan Artur Zheji, Reis Çiço, Alfred Peza, Eni Vasili, Sonila Meço dhe Zana Çela.

“Televizioni është konsideruar nga burrat një punë e lehtë, pa peshë dhe që mund ta bëjë kushdo, por në momentin kur gjërat bëhen më të rëndësishme aty gjërat marrin rrjedhë tjetër”, tha Vasili.

“Media dhe ekrani është një vitrinë dhe në konkurrencën që bëjnë televizionet interesi është që të “shesin” produktin. Nuk mendoj se priren në mënyrë diskriminuese ndaj femrës apo ndaj mashkullit”, tha Zheji./tvklan.al

Të ftuar: Artur Zheji, Reis Çiço, Alfred Peza, Eni Vasili, Sonila Meço, Zana Çela.