Humb jetën mes flakëve i moshuari në Gjirokastër


Humb jetën mes flakëve i moshuari në Gjirokastër

19:28 03/08/2021

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë

Një banor i fshatit Asim Zeneli në Gjirokastër ka humbur jetën në oborrin e shtëpisë së tij, ndërsa përpiqej të ndalte flakët që kanë përfshirë zonën e Lunxhërise. Policia e ka identifikuar viktimën si Andrea Haxhiaj, ndërsa bashkëshortja e tij 57 vjeçe ka marrë plagë dhe djegie në trup dhe është dërguar në spital në gjendje të rëndë.

Në fshatrat e Gjirokastrës, Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lëngo situata e flakëve e vështirë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se të gjitha forcat e ushtrisë dhe mjetet për fikjen e zjarreve janë përqendruar në këtë zone, ndërsa u bëri thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në ditën e 8, vatra e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit përparoi drejt zonave të banuara dhe Parkut të Llogarasë, por në orët e pasdites u arrit që flakët të viheshin nën kontroll.

Siç duket në këto pamje te filmuara këtë të martë flakët, u kthyen në rrezik për banorët e fshatit Dukat. Rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete dhe 3 helikopterë u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën. Në terren ishte edhe kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, i cili tha se po kërkohet ndihmë nga jashtë.  

Vatra aktive ka pasur gjatë ditës edhe në Cukal të Vaut të Dejës. Gjatë natës se kaluar u vu nën kontroll zjarri në fshatin Palokastër të Gjirokastrës, i cili dogji disa hektarë kullota.

Tv Klan







Të ngjashme