Ishin në bordin e një avioni që ra në afërsi të Moskës

Ky filmim amator tregon momentet e rënies mes flakëve të avionit të vogël, me të cilin Jevgeni Prigozhin, kreu i grupit famëkeq Wagner fluturonte mbrëmjen e kësaj të Mërkure, nga Shën Pjetërburgu drejt Moskës. Mediat ruse konfirmojnë se 62-vjeçari ka mbetur viktimë e këtij aksidenti ajror, sëbashku me 9 persona të tjerë, ndër të cilët 3 pjesëtarë të ekuipazhit e të tjerët pasagjerë.

Mes të vdekurve konfirmohet edhe zëvendësi i tij në krye të Vagnerit, Dmitri Utkin. Ngjarja ndodhi rreth orës 18.11 me orën lokale. 40 minuta pasi ishte ngritur nga Shën Pjetërburgu, avioni i vogël “Embraer Legacy 600” në pronësi të tij u godit nga kundërajrorët e ushtrisë ruse rreth 100 kilometra larg Moskës, teksa fluturonte mbi rajonin e Tverit.

Arsyet e goditjes janë të paqarta. Përveçse konfirmuan vdekjen, autoritetet në Moskë nuk kanë bërë asnjë koment mbi arsyet e goditjes. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta.

Analistë të ndryshëm hedhin dyshime se ky mund të jetë një atentat i organizuar nga presidenti rus Vladimir Putin, si hakmarrje për rebelimin disaorësh që organizoi Jevgeni Prigozhin, dy muaj më parë, fiks në të njejtën datë si sot “23”.

 I këtij mendimi është edhe presidenti amerikan Xho Bajden, i cili u tha gazetarëve pas publikimit të lajmit se në Rusi nuk ndodh asgjë, pa qenë nga prapa Putini.

Ndërkaq në kanalet e grupit Vagner në Telegram i bëhen elozhe shefit të vdekur të këtij grupi, ku konsiderohen tradhëtarë ata që qëlluan ndaj avionit, ndërsa paralajmërohet hakmarrje, mbase edhe një përsëritje e rebelimit.

Këtë javë, shefi i Wagnerit u shfaq për të parën herë, dy muaj pas rebelimit në një video ku ai vetë pretendonte se ishte në Afrikë për të luftuar, siç tha për të zgjeruar Rusinë edhe në këtë kontinent. Mendohej se ai nuk do të kthehej më në Rusi, që pas marrëveshjes me ndërmjetësimin e Bjellorusisë që i dha fund pa gjakderdhje rebelimit disa – orësh të 23 qershorit.

Tv Klan