SPAK kërkon të rinisë procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit



SPAK kërkon të rinisë procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit

11:00 06/05/2021

Prokuroria kërkesë Gjykatës së lartë që të fillojë gjyqin ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu

Pas gati 13 vitesh që nga pushimi i çështjes penale në ngarkim të ish-ministrit të Mbrotjes në atë kohë Fatmir Mediu, për shpërthimin në Gërdec ku humbën jetën 26 qytetarë, SPAK është vënë në lëvizje nga trashëgimtarë të viktimës Edison Durdaj, i cili humbi jetën në moshën 7-vjeçare, duke i’u drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për nisjen e procesin gjyqësorë ndaj Mediut.

Prokuroria e Posaçme pasi ka analizuar pretendimet e familjarëve, ka arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Fatmir Mediu.

Në foto Zamira Durdaj

Ky vendim është marrë në 14 Shtator 2009, nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Në atë kohë Mediu u hetua për disa vepra penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar në Kodin Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, të parashikuar në Kodin Penal Ushtarak.

Por pas hetimeve të kryera në atë periudhë, Gjykata e Lartë vendosi që të pushonte çështjen penale në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, me argumentin se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdonte, për shkak se Mediu ishte rizgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës.

Pas kaq vitesh SPAK argumenton se duke qenë se imuniteti parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacion, ka të drejtën ligjore për të rinisur gjykimin.

Tragjedia ndodhi më 15 Mars të 2008-ës, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve, në fshatin Gërdec, ku kryhej ç’militarizimi dhe ç’montimi i municioneve luftarake. Gjatë atyre shpërthimeve të fuqishme humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën me dhjetëra të tjetë. Ndërsa kostoja e dëmeve materiale ishtë 2 miliardë e 250 milionë lekë.

Klan News










Të ngjashme