Arben Cara: Nuk e dimë kush do ua thotë lajmin e zi

Për familjen Cara në Thumanë, tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi të shumëfishtë. Shtatë prej anëtarëve të kësaj familjeje u shuan nga lëkundjet e tokës dhe gjallë mbetën vetëm dy prej tyre.

Albert Cara humbi bashkëshorten Fatmira, dy djemtë Hasan dhe Almir, vajzën Erisa, si dhe të fejuarën e Almirit, Stela. Ndërsa kushërira e tij, Lindita Cara, e cila gjithashtu i shpëtoi tërmetit katastrofik, humbi vajzën e saj Sadajana dhe nënën Anthi.

Dy familjet jetonin në të njëjtin pallat, njëra në katin e 4 dhe tjetra në katin e 5 të ndërtesës së shkatërruar thuajse tërësisht. Dy të mbijetuarit, Albert Cara dhe Lindita Cara ndodhen ende në spital, nën kujdesin mjekësor.

I ftuar në “Historia ime”, zjarrëfikësi Arben Cara tregoi se ata ende nuk e dinë se kanë humbur familjarët e tyre. Ndërkohë as familjarët nuk e dinë se kush do jetë personi që do marrë guximin për t’iu transmetuar lajmin e trishtë.

Arben Cara: Ne po mundohemi që t’i japim kurajo familjarëve që kanë shpëtuar, Albertit dhe Linditës. Deri më tani, në këto momente që po flasim ata nuk dinë asgjë, pavarësisht se e imagjinojnë nga gjithë ajo gjë që ka ndodhur, ata kuptojnë diçka sepse nuk kanë asnjë lloj kontakti, telefona s’kanë, kemi ndaluar gjithë komunikimin nga doktorët dhe nga të afërmit që ata të kontaktojnë.

Mirela Milori: Ku janë aktualisht?

Arben Cara: Aktualisht, Alberti vazhdon të jetë në Itali. Ka bërë dy ndërhyrje kirurgjikale dhe pritet të bëhet edhe një ndërhyrje tjetër. Shpresojmë tek Zoti dhe tek doktorët që të paktën mos mbetet i paralizuar, të mbetet njeri normal në jetën e përditshme, pas gjithë asaj që ka kaluar. Lindita është tek Spitali i Traumës, ajo është mirë. Ka pak probleme me krahun e djathtë, por që besoj ajo do ta kalojë, nuk ka për të pasur probleme, kemi shumë shpresë.

Mirela Milori: I kërkojnë familjarët e tjerë? Çfarë ju thoni?

Arben Cara: Patjetër që ata kërkojnë, ne ju themi që ata janë të dëmtuar, ndodhen në spitale, po marrin kurimin e duhur dhe nuk e dimë as vetë, se kush do të jetë personi, saktësisht kush do ta transmetojë këtë lloj lajmi të zi. Është diçka që askush nuk e merr këtë barrë përsipër. Ju vetë e kuptoni që të jesh në një situatë të tillë, të humbasësh gjithë familjen, as vetë nuk e dimë kush do jetë personi që do e transmetojë, do e japë këtë lajm të tillë./tvklan.al