Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën për shkak të protestave në Francë, ku kërkohet ulja e çmimit të karburantit. Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, pasi 80-vjeçarja u godit në dritare nga një bombol me gaz lotësjellës, sipas BBC.

Gruaja, e cila jetonte në një apartament pranë vendit ku zhvillohej protesta në Marsejë, u godit në fytyrë gjatë kohës që po mbyllte grilat e dritares. Ajo u dërgua në spital, por ndërroi jetë gjatë operacionit.

Tre persona të tjerë kanë humbur jetën ditët e mëparshme gjatë protestave për çmimin e karburantit. Demonstratat kanë filluar prej më shumë se dy javësh dhe protestuesit nuk kanë një udhëheqës, por organizimi u bë në rrjetet sociale.

Ministria e Brendshme e Francës thotë se ditën e dielë në protesta morën pjesë rreth 136 mijë persona në mbarë vendin. “Xhaketat e verdha”, sikurse janë quajtur protestuesit, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë pas rritjes së çmimit të karburantit.

/tvklan.al