Një punëtor shqiptar në Itali ka humbur jetën tragjikisht gjatë një aksidenti në punë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Prato. Sipas mediave italiane, viktima është Imer Koltraka.

56-vjeçari punonte si murator dhe ishte duke punuar në çatinë e një kompanie në pronësi të disa shtetasve kinezë. Shqiptari ishte ngjitur mbi çati kur papritmas ai u rrëzua në tokë. Rënia nga 7 metra lartësi i shkaktoi atij vdekjen e mënjëhershme.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe ndihmës mjekësore që ju dha, fatkeqësisht 56-vjeçari nuk mundi të mbijetonte. Ai kishte pësuar frakturë në kokë. Forcat e policisë të cilat shkuan në vendngjarje nisën hetimet për dinamikën e aksidentit, si dhe verifikimet nëse ishin zbatuar masat e sigurisë në punë.

Po kështu, hetuesit përdorën një dron për të fotografuar imazhe nga lart në mënyrë që të kenë një panoramë më të plotë të aksidentit në punë. 56-vjeçari shqiptar Imer Koltraka jetonte dhe punonte prej vitesh në Firence, ndërsa familja e tij ndodhet në Shqipëri. /tvklan.al