Efektivja e policisë Ina Nuka që humbi gishtat në protestën e dhunshme paraditen e së enjtes, do të niset drejt Turqisë për një operacion më të specializuar.

Lajmin e ka bërë me dije vet Kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale thotë se policja 24-vjeçare do t’i nënshtrohet operacionit në Stamboll.

“Ina është një vajzë fantastike, që i përballon me buzëqeshjen e njeriut superkurajoz pasojat e krimit brutal mbi të. Në Policinë e Shtetit ajo s’ka hyrë për të bërë një punë, po për një pasion të ushqyer me nota të larta në shkollë, e me stërvitje të përditshme në vijim. Sapo i thashë se gjithçka po bëhet gati për një operacion të gjatë e të vështirë në Stamboll dhe do ta nisim nesër. Më kërkoi t’i premtoj se kur të rimarrë kontrollin mbi duart, do të bëjmë një ndeshje. Patjetër Ina, të shkuara dhe krenar për ty

“, thotë Kryeministri Edi Rama.

Aktualisht, punonjësja e policisë së repartit “Shqiponja”, Ina Nuka ndodhet në Spitalin e Traumës ku mori ndihmë mjekësore. 24-vjeçares i plasi në duar një kapsollë e hedhur nga protestuesit gjatë dhunës që shpërtheu përpara Parlamentit nga banorët e zonës së Unazës së Re. Nga shpërthimi i shashkës pësoi dëmtime në dëgjim edhe një efektiv tjetër i policisë. Në total u plagosën 12 punonjës të policisë dhe pësuan lëndime të lehta 3 protestues. /

tvklan.al