Pasi humbi Apelin në Komisionin e Posaçëm të Apelimit për Migracionin në Londër për shpalljen non grata nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022, kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar duke thënë se ky komision nuk ka hetuar për të zbardhur të vërtetën, por është mjaftuar vetëm me shpifjet që janë depozituar ndaj tij.

Në faqen e tij zyrtare, Berisha shkruan se Komisioni i Posaçëm i Apelimit për Migracionin në Londër nuk ka vlerësuar provat që janë dërguar prej tij me arsyetimin se janë paraqitur jashtë afatit.

“Komisioni i Posaçëm i Apelimit për Migracionin Nuk ka vlerësuar fare mijëra faqe prova dhe dëshmi të paraqitura nga avokatët e z. Berisha, me pretendimin se janë paraqitur jashtë afati. Ndërkohë që ato janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë te Home Office nuk ia kanë paraqitur Sekretares të këtij institucioni me qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjen e tyre dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin, meqë Sekretarja nuk i kish patur para saj në momentin e marrjes së vendimit.”

Për Berishën vendimi në Komisionin e Posaçëm të Apelimit për Migracionin është i qëllimshëm, duke thënë se diplomatët britanik në vendin tonë kanë deklaruar se nëse do të hiqej vendimi për ‘non grata’ ndaj tij do të ulej reputacioni i Mbretërisë së Bashkuar.

Kryetari i PD thotë se në këtë mënyrë po ndëshkohet lideri i opozitës me qëllimin e mbajtes në pushtet të një kryeministrit të lidhur me grupet kriminale.

“Është një përpjekje mjerane për të mbajtur në pushtet korrupsionin dhe krimin e organizuar ndërkombëtar që përfshin narkoshtetin e parë në Evropë ku kryeministri akuzohet nga zëvendësi i tij se takon në zyrë krerët e bandave kriminale, ku shefat e policisë janë në marrëdhënie me krimin për te porositur vrasje, ku kryeministri dhe këshilltarët e tij korruptojnë e shefat e inteligjencës së FBI si McGonigal. Duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar.”

Kryetari i PD thotë se do të vijojë rrugën e drejtësisë, e cila sipas tij do të godasë edhe krimin ndërkombëtar.

Klan News