Një fëmijë 9 vjeç i quajtur Jordan ka vdekur për shkak të goditjes nga rrufeja gjatë stërvitjes së futbollit. Djali u lëndua duke luajtur në një fushë futbolli, rreth orës 17:00 të pasdites, pak pasi një stuhi rrufesh goditi qytetin e Lancashire.

Policia tha se ai u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetonte. Sipas sekretarit të klubit të futbollit, tre skuadra kishin anuluar stërvitjen për shkak të motit të keq, por 9-vjeçari ishte duke u trajnuar privatisht. Klubi i shprehu ngushëllime familjes, ndërkohë që kjo e fundit po mbështetet edhe nga punonjësit e policisë pas lajmit tragjik.

Përmes një mesazhi prekës në Facebook babai i tij Matt Banks ka zbuluar se organet e tij janë dhuruar duke shpëtuar jetën e 3 fëmijëve të tjerë.

“Nuk mund të jem më krenar se kaq për të, ai vendoste gjithmonë veten për të tjerët edhe pse i vogël, ishte vetëmohues. Falë tij ai ka shpëtuar jetën e 3 fëmijëve të tjerë, qëllimi i tij kur ishte gjallë, ishte t’i vinte në ndihmë njerëzve.

Jam me zemër të thyer, nuk kam humbur vetëm djalin tim të vogël por edhe shokun tim më të mirë. Ne uleshim dhe flisnim me orë të tëra për të ardhmen e tij dhe ai gjithmonë më pyeste se si doja të më thërrisnin fëmijët e tij dhe ne të dy vendosëm për papi …”, është shprehur i ati.

Matt u bëri thirrje prindërve të tjerë që të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijët e tyre sado të vegjël. /tvklan.al