Vdekja e artistit Koço Devole, i cili ishte i infektuar me Covid, u prek gjatë mbrëmjes së të hënës në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Gazetari Blendi Fevziu pyeti ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se çfarë ndodhi me aktorin e njohur të humorit, i cili nuk fitoi dot betejën me koronavirusin.

Ministrja tha se nuk e beson që Devole të jetë nxjerrë dhe më pas rikthyer në spital duke u shprehur se mediat mund të kenë keqinterpretuar faktet. Megjithatë ajo u shpreh se ky rast mund të ketë nevojë për një proces administrativ për të zbuluar se çfarë ndodhi në të vërtetë.

Blendi Fevziu: Do t’ju marr një rast një person shumë të njohur, një prej artistëve shumë të njohur që ka pasur Shqipëria, Koço Devole. U nxorr nga spitali se nuk kishte vend lexova në shtyp dhe u rikthye në spital në gjendje të rëndë ndërroi jetë. Është e vërtetë apo jo?

Ogerta Manastirliu: Unë do të doja që për raste të tilla…

Blendi Fevziu: Është në shtyp…

Ogerta Manastirliu: Të lutem zoti Fevziu se jam e prekur për humbjen e një prej figurave më të mëdha të humorit shqiptar dhe nuk do të doja që të flisnim kaq me lehtësi për humbjen e jetës së askujt.

Blendi Fevziu: Më fal, po të referoj median dhe e thonë këtë gjë.

Ogerta Manastirliu: Do doja që t’i referoheshim fakteve të sakta.

Blendi Fevziu: Është nxjerrë nga spitali dhe është rikthyer?

Ogerta Manastirliu: Mediat mund të keqinterpretojnë.

Blendi Fevziu: Mund t’ua bëj pyetjen ju dhe e lemë median. Çfarë ka ndodhur me Koço Devolen?

Ogerta Manastirliu: Ashtu sikurse ka një raport i cili është raport zyrtar i institucioneve, për rastin e të ndjerit zotit Devole do të kemi një informacion zyrtar. Unë nuk mundet këtu të përgjigjem, një gazetari shumë të nderuar për një rast që mund të ketë nevojë për…

Blendi Fevziu: Një hetim?

Ogerta Manastirliu: Për një proces administrativ dhe për të cilin mund t’ua referoj dhe unë. Por jo ta themi kështu.

Blendi Fevziu: Është kthyer në spital pas disa orësh?

Ogerta Manastirliu: Nuk besoj të ketë ndodhur kështu. Nuk besoj të jetë nxjerrë dhe të jetë kthyer. Rastet që shtrohen në spital kanë patologji të ndryshme, ashtu sikurse janë edhe rastet pa patologji, kanë dhe rastet që kanë nevojë për t’u trajtuar në struktura të ndryshme. Kjo ndodh rutinë në sistemin tonë shëndetësor. Askujt nuk i është mohuar shërbimi në sistemin tonë shëndetësor. Askush nuk mund të thotë që nuk ka marrë shërbim shëndetësor./tvklan.al