Pavarësisht se humbi dhomën e ulët të Kongresit, për Presidentin Donald Trump rezultati i zgjedhjeve të gjysmë-mandatit ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Shefi i Shtëpisë së Bardhë iu referua dominimit të Senatit nga republikanët.

“Këto zgjedhje janë të parat të suksesshme për partinë e Presidentit që fiton 2 deri 3 vende, që pas presidencës Kenedi. 55 senatorë republikanë është numri më i madh në më shumë se 100 vjet”.

Presidenti bëri thirrje për unitet mes dy partive të mëdha dhe paralajmëroi se do të bllokonte demokratët në Senat nëse ata bëjnë të njejtën gjë me Dhomën e Përfaqësuesve.

Në konferencën për shtyp nuk mungoi as sulmi ndaj mediave, veçanërisht pas pyetjes së CNN.

“CNN duhet të turpërohet që ti punon për ta. Kur ti raporton lajme të rreme, je armiku i popullit”.

Demokratët siguruan të paktën 222 vende nga 218 që nevojitën për shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Marrja e kontrollit pas 8 vitesh në Dhomën e Përfaqësuesve u jep demokratëve fuqinë për të frenuar axhendën e Presidentit Trump. Ata mund të marrin drejtimin e komisioneve të rëndësishme, ndër të cilat edhe ato që kanë kompetenca në hetime.

Tv Klan