Prej 33 vjetësh, Lindita Shosha mban në dorë bisturinë e kirurgut që e shoqëron në karrierën e saj si mjeke. Një mision që ajo ka sakrifikuar me shumë dëshirë e pasion, edhe pse sfidat që hasen përgjatë tij, sidomos në kirurgji ku vendimet janë më të vështira dhe të shpejta.

Një moment që ajo veçon është edhe humbja e pacientit.  Shosha shpjegon në “Rudina” në Tv Klan se raste të tilla janë më të shumta në urgjencën e traumës ku pacienti mund të mbërrijë në gjendje tepër të vështirë shëndetësore, me një shkallë të lartë të dëmtimit të organizmit. Kirurgia kujton mirë rastin e një djali që humbi jetën gjatë operacionit pas një aksidenti tragjik me motorr.

Lindita Shosha: Ka qenë një djalë, djali i vetëm i një familjeje, një prindi. Kishte dy motra. Djali bashkë me një shokun e vet bënin xhiro me motorr dhe fatkeqësisht një makinë del nga një rrugë sekondare dhe u pret rrugën. Djali fluturon me gjithë motorr. Kjo është një ngjarje, duhet të jetë diku e ’98-ës. Vjen në spital, pothuajse terminal, i mbaruar sepse hemorragjia dhe dëmtimi që i kishin bërë ekstremitetet e poshtme nga fluturimi me motorr ishte një traumë masive shumë e madhe, pavarësisht se u përpoqëm në sallën e operacionit ishte krejt e pamundur që ai të mbijetonte.

Dhimbja aty është shumë e madhe. Më besoni ka raste kur e kemi jashtëzakonisht të vështirë të dalim dhe t’i themi një prindi i cili e ka çuar djalin të shëtisë, djali ka dalë me shokët, djali ka dalë të pijë një kafe, duke qenë mirë e bukur dhe pastaj ti t’i thuash që djali jot nuk jeton më. Kjo është trauma më e madhe që mund të përjetojë vetë mjeku, por e padiskutuar, prindi dhe sidomos, ai djalë i vetëm. Janë gjëra që na kanë mbetur dhe janë 20 vjet, unë nuk e harroj kurrë atë moment, ai është i ngulitur tek unë dhe unë nuk e harroj kurrë sepse dhimbja ka qenë e tejskajshme./tvklan.al