Klajda hyri në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” me një buzëqeshje të madhe që herë pas here shfaqet përgjatë rrëfimit të saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Pas buzëqeshjes, qëndron një grua që ka përjetuar sfida, sakrifica deri në vetëmohim, ka tejkaluar sprova të vështira për t’u përshkruar.
Teksa me bashkëshortin përpiqeshin të ndërtonin sadopak siguri në Itali, mbetën të dy në një park. Klajda priste djalin e tyre të parë, ushqehej me kumbulla e produkte të skaduara supermarketi dhe laheshin me letra në tualetet e tij. Bashkëshorti gjeti një punë 50 km larg Bolonjës ndërsa Klajda mbeti e vetme në atë park. Një ditë, një shqiptare e ndihmoi e për 5 muajt e tjerë të shtatzënisë gjeti ndihmë e strehë në shtëpitë e të tjerëve.
Pas kësaj situate, Klajda dhe bashkëshorti bënë ç’mundën dhe gjetën një shtëpi të vjetër e me myk për të jetuar së bashku me djalin.
Klajda: Gjetëm këtë shtëpinë që ishte me shumë myk, lindi Kevin dhe Kevin shumë shpejt u sëmur, pas dy javësh nga myku i madh. Qiraja ishte shumë e lartë, na transferoi në spital në Bolonja ku kemi ngelur 3 muaj dhe 3 muaj ne nuk kishim mundësi të paguanim të ngrënën dhe rrija pa bukë. Ndonjë kanatiere e laja, e thaja te ngrohësja natën dhe kështu kaluan 3 muaj në spital.
Ata iu drejtuan Kryqit të Kuq dhe për 6 muajt e ardhshëm ushqeheshin me makarona, domate e qumësht ndërsa ishin edhe fqinjët që i ndihmonin me ç’të mundnin. Të dy kishin nisur të punonin, Klajda mbeti shtatzënë me vajzën dhe jeta dukej se po merrte një drejtim tjetër deri në ditën që gjithçka u përmbys.
Klajda: Ishte dita e fundit te puna e re që burri im punonte sepse pastaj mbyllej edhe ajo puna kur ai pëson një aksident në rrugë duke u kthyer. Pëson një aksident dhe aty mendova se ishte fundi i jetës time.
Ardit Gjebrea: Nga aksidenti shpëtoi bashkëshorti?
Klajda: Jo. Bashkëshorti vdiq 35 vjeç.
Prindërit në Shqipëri i luteshin të kthehej, por Klajda nuk e përtypte dot që të shkelte mbi sakrificën e tyre. Ata bënë gjithçka për ta ndihmuar, edhe pse vetë arritën në kufijtë e varfërisë.
Klajda: Nuk u kam treguar kurrë sepse ato 3000 euro që mami dhe babi im kanë marrë borxh dhe duhet të lanin këtë borxhin duke ngrënë bishta prasi dhe duke u dhënë vëllezërve të mi që të paguanin borxhin vetëm bishtat e prasit dhe bënin supën, unë nuk mund të kthehesha në Shqipëri as kur isha në rrugë dhe as kur u ndodha në këtë lloj situate. Por mami dhe babi im kanë vazhduar gjithmonë duke ndihmuar, biles ata 2-3 herë morën prapë lekë borxh, më sillnin makaronat, djathë kaçkavall, m’i dërgonin me postë.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që për vete hanin bishta prasi.
Klajda: Dhe ato hanin bishta prasi. Vëllezërit e mi kanë vuajtur shumë sepse… kushtet e atilla. Babi punonte në zjarrfikëse, mami punonte në banak dhe për të larë borxhin që merrte për të më sjellë mua lekë ikte në punë në orën 6 dhe kthehej në 11 të natës./tvklan.al