Konsumuan kërpudha helmuese

Kjo është fotoja e fundit që tre anëtarët familjes Haliti nga Gjilani i Kosovës i dërguan të afërmve të tyre para se gjendja e tyre shëndetësore të përkeqësohej deri në humbjen e jetës si pasojë e konsumimit të kërpudhave. Ngjarja mësohet se e ka zanafillën të mërkurën e shkuar kur Afrim Haliti 56 vjeç; nëna e tij, Elfete Haliti, 78 vjeçe dhe bashkëshortja Ferdinaze Haliti, 47 vjeçe me banim në Gjirin e Lalëzit, kishin dalë për piknik në pyllin afër zonës së plazhit ku dhe mblodhën edhe disa kërpudha të cilat konsumuan në shtëpi.

Menjëherë ata nuk janë ndjerë mirë dhe janë paraqitur pranë qendrës shëndetësore në Manzë. Aty ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa janë trajtuar me serum dhe vitamina. Pasi janë ndjerë më mirë ata janë larguar për në banesë, por gjendja shëndetësore është përkeqësuar sërish, ndaj dhe janë dërguar në spitalin e Durrësit.

Këta të fundit pasi konstatuan se gjendja e tre pjesëtarëve ka qenë e rënduar i kanë nisur drejt urgjencës së QSUT-ës me diagnozë “intoksikacion nga kërpudha”. Në një njoftim për mediat QSUT bëri të ditur se janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe konsultat sipas protokolleve mjekësore të urgjencës dhe janë hospitalizuar fillimisht në Shërbimin e Toksikologjisë dhe pas në Shërbimin e Reanimacionit Qendror.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ata kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit në tre dite të ndryshme. Për rastin në fjalë policia njoftoi se ka proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, dy mjekët e Qendrës Shëndetësore Manzë Shyqyri Beqaj, 54 vjeç dhe Jonuz Karaj, 60 vjeç. Por drejtuesi i kësaj Qendre Shëndetësore ka hedhur poshtë një akuzë të tillë duke bërë të ditur se tre viktimat janë trajtuar sipas protokollit mjekësor.

Ndërkohë që familjarët e tyre duke folur për mediat në Kosovë evidentuan mungesën e trajtimit profesional nga ana e mjekëve të Manzës. Trupat e tre viktimave u përcollën këtë të dielë për në banesën e fundit në Gjilan.

Tv Klan