Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje në fshatin Dushnik të Beratit.

Tre pjesëtarë të së njëjtës familje kanë gjetur vdekjen pasi janë bllokuar dhe asfiksuar në një pus që ndodhej në oborrin e shtëpisë.

Viktimat janë 75-vjeçari K. H. dhe dy nipërit e tij, N. H., 46 vjeç dhe G. G., 45 vjeç.

Drejtori i Policisë së Beratit, Hasan Ahmetaj, në një deklaratë për mediat sqaroi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00. Fillimisht është futur në pus për ta pastruar 75-vjeçari, por për shkak të thellësisë së madhe dhe mungesës së oksigjenit, është bllokuar.

Më pas ka qenë një prej nipi i tij 46-vjeçar, i cili është futur për ta shpëtuar, por edhe ai është bllokuar. Në tentativë për t’i nxjerrë është futur edhe nipi tjetër, 45 vjeç, por fatkeqësisht edhe ai ka mbetur i bllokuar në pus, duke u asfiksuar.

Policia, zjarrfikësja dhe ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje. Fillimisht është futur për t’i shpëtuar një zjarrfikës, por sipas Drejtorit të Policisë, ai ka dalë sërish jashtë kur ka arritur në gjysmë të thellësisë, pasi ishte e pamundur për shkak të mungesës së oksigjenit.

Më pas është futur sërish me bombolën e oksigjenit, dhe në kushte të vështira kanë arritur që të tre trupat t’i nxjerrin, por pa shenja jete. /tvklan.al