Dyshohet se kanë mbetur të izoluar brenda në galeri

Një inxhinier dhe dy punëtorë dyshohet se mund të kenë mbetur të izoluar në një minierë në Selishtë të Dibrës. Ishte vëllai i inxhinierit 62-vjeçar, i cili njoftoi policinë.

“Rreth orës 18:15, Selami Hoxha, ka telefonuar Sallën Operative në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, se vëllai i tij Ismail Hoxha, rreth 62 vjeç me detyrë inxhinier miniere, së bashku me dy punëtorë, të cilët punonin në minierën “Balgjaj”, Selishtë, Dibër, kanë humbur kontaktet me familjen”.

Në njoftimin për mediat, autoritetet thonë se “shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe nga veprimet paraprake të kryera dyshohet se personat mund të kenë mbetur të izoluar brenda në galeri, pasi sendet personale, rrobat dhe telefonat, ndodhen në dhomën e ndërrimit. Janë njoftuar grupet e avari shpëtimit në miniera, për të bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e tre shtetasve”

Burime për Klan Plus bëjnë të ditur se personat në fjalë kishin dy ditë në galeri, diçka kjo normale në punën e tyre. Por familjarët u shqetësuan pasi kaloi më shumë kohë se zakonisht pa dëgjuar prej tyre. Familjarët mësohet se fillimisht shkuan në minierë dhe pasi panë sendet e tyre personale iu drejtuan policisë./tvklan.al