Kapitenia e Spanjës dhe heroina e finales së Kupës së Botës, Olga Karmona mësoi pas ndeshjes se i ati i saj kishte ndërruar jetë.

Lajmin e dha federata spanjolle e futbollit që shprehu ngushëllimet për humbjen e 23-vjeçares.

Mbrojtësja shënoi një gol në minutën e 29-të për t’i dhënë përfaqëseses iberike fitoren kundër Anglisë dhe titullin e parë botëror.

“Federata Spanjolle e Futbollit me keqardhje të thellë njofton vdekjen e babait të Olga Carmona. Futbollistja mësoi lajmin e hidhur pas finales së Kupës së Botës. Ne dërgojmë përqafimet tona më të sinqerta për Olgën dhe familjen e saj në një moment dhimbjeje të madhe. Ne të duam, Olga, ti je historia e futbollit spanjoll.”

Ky ishte reagimi i institucionit spanjoll të futbollit. Në një mesazh emocional, Karmona shkroi se i ati i dha forcë nga qielli, në finale.

“Pa e ditur, kisha yllin tim përpara nisjes! E di se ti më dhe forcë për të arritur diçka me të vërtetë unike. E di se më ke parë dhe se je krenar për mua. U prehsh në paqe baba!”

Edhe klubi i Karmonës, Real Madridi shprehu ngushëllimet për humbjen e futbollistes së tyre.

Klan News