Humbje e thellë e Tsipras në zgjedhjet lokale

Posta

Humbje e thellë e Tsipras në zgjedhjet lokale

15:25 03/06/2019

Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve të para, se harta e Greqisë u ngjyros e gjitha në blu. “Vetëm se kësaj here është ngjyra e atdheut”, shtoi Mitsotakis, një javë pas triumfit që kishte arritur partia e tij në zgjedhjet europiane të 26 Majit.

Në përfundim të zgjedhjeve administrative, Demokracia e Re ka fituar 12 nga 13 qarqet e vendit, si dhe shumicën dërrmuese të Bashkive me mbi 50.000 banorë. Konservatorët kanë fituar 35 nga bashkitë e mëdha, socialistët e Kinalit 9 dhe SYRIZA e Kryeministrit Tsipras ka fituar vetëm në 5 prej këtyre bashkive.

Tsipras tha se “në politikë, ashtu si dhe në jetë, ka rëndësi të dish të fitosh, por ka rëndësi të dish edhe të humbasësh”.

“Por më e rëndësishme është të ngrihesh përsëri e të luftosh”, shtoi Tsipras, duke dashur të japë një mesazh në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 Korrikut.

Edhe pse kishte thënë që do të shkojë te Presidenti i Republikës menjëherë pas përfundimit të balotazhit për të kërkuar shpalljen e zgjedhjeve, Kryeministri grek do ta bëjë këtë më 10 Qershor.

Kjo shtyrje e afatit që vetë ai kishte deklaruar, u dha vrull skenarëve për një shtyrje deri në vjeshtë të zgjedhjeve të përgjithshme. Por këto skenarë u përgënjeshtruan nga selia e Kryeministrit.

Sondazhi më i fundit, i publikuar të dielën në mbrëmje, i jep partisë më të madhe opozitare kuota të njëjta me ato të zgjedhjeve europiane.

Demokracia e Re ka fituar 36,5% të votave, kundrejt 27,5 për SYRIZA-n. Pasojnë socialistët e Kinalit me 9,5%, partia komuniste me 6,5%, ndërsa Agimi i Artë konfirmon sërish rënien drastike teksa në rastin më të mirë merr 6 për qind të votave.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi