Christian Panucci ka eksperimentuar prej momentit kur erdhi në krye të Kombëtares. Në dy ndeshjet e fundit ai afroi më shumë lojtarë të rinj se zakonisht, duke marrë dy humbje turpëruese 3 – 0 me Kosovën dhe 4 – 1 me Ukrainën. Sipas gazetarit Fatmir Mëneri, ky grup lojtarësh që u thirr në këto miqësore nuk jep shpresë.

“Nuk kemi një skuadër që premton me këta futbollistë që u aktivizuan në këto dy ndeshje. Në një laborator që qëndron gjatë i hapur, dy janë mundësitë, ose nuk gjen njerëzit e duhur ose laboranti nuk është në terezi”.

Sipas Fatmir Mënerit, trajneri i Kuqezinjve duhet të marrë një vendim se çfarë do të bëjë, të vijojë me të rinjtë apo të kthejë lojtarët me përvojë.

“Më e frikshme është dielma e madhe, që të vazhdojë me këta futbollistë që ka zgjedhur apo të kthehet pas për të marrë ndonjë rezultat”.

Një regres për Shqipërinë që nuk pësonte 4 gola në një ndeshje për 7 vitesh, kur u mund 4 – 0 nga Argjentina në miqësoren e luajtur në Buenos Aires.

Tv Klan