Pedagogia Irena Myzeqari në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan tregoi se cilat janë mënyrat, ose rregullat për të qenë një folës i mirë në publik dhe për të mbajtur të “mbërthyer” audiencës pas asaj që t’i po flet. Ndër mënyrat më të rëndësishme dhe më efikase, Irena Myzeqari cilësoi pyetjen retorike, ose atë drejtuar audiencës, humorin dhe tregimin e një historie.
“Një nga mënyrat se si mund ta thyesh dinamikën e komunikimit është duke drejtuar një pyetje, e cila mund të jetë direkt duke iu drejtuar audiencës, por mund të ketë edhe pyetje retorike ku ti shkon në një aspekt reflektiv. Mund të jetë humori, i cili është një element shumë i mirë, sepse ngjit me audiencën. Por, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, që ai humori të bëjë sens dhe të jetë i përshtatshëm. Tjetra e cila është dhe një nga teknikat më të fuqishme është të treguarit të historisë, por shkurt. Të folurit në publik ka dy rregulla kyçe, së pari duhet të jesh i thjeshtë, por jo më i thjeshtë se aq, sepse e ke humbur audiencën. Gjëja tjetër të jesh në të njëjtën linjë me vëmendjen e njerëzve dhe me kohën e tyre”, tha pedagogia.
Marrë shkas nga mënyrat e sipërpërmendura gazetari Renaldo Salianji tha se këto nuk duhet të mësohen në mënyrë shabllon, por duhen përshtatur me audiencën dhe karakterin e personit që po mban fjalim. Ai në një mënyrë kritikoi një pjesë të politikanëve të cilët sipas tij “çalojnë” tek pjesa e komunikimit me publikun.
Renaldo Salianji tha se shumë politikanë dhe folës në publik bëjnë pyetje në fillim të fjalimit, pyetje së cilës nuk i japin asnjëherë një përgjigje. Gjithashtu shumë të tjerë nisin të tregojnë një histori dhe më pas humbasin fillin e asaj që nisën të tregonin. Sa për përdorimin e humorit në fjalimet publike, Renaldo Salianji e cilësoi si diçka me risk pasi jo të gjithë janë të aftë ta bëjnë dhe ta adresojnë në mënyrën e duhur.
“Tre gabimet që bëhen më shumë në publikë, është se i kanë lexuar këto shumicën e rregullave dhe bëjnë një pyetje në fillim, të cilës kurrë nuk i japin përgjigje. Është ajo logjika e filmit, që nëse një armë shfaqet në fillim të filmit duhet të shprehet deri në fund të saj. Mua më ka ndodhur shpesh edhe në familje politikanësh që bëjnë një pyetje, nuk është pyetje retorike, është pyetje për audiencën dhe nuk i japin përgjigje në fund. Ose fillojnë dhe tregojnë një histori dhe gjatë historisë iu ndërhyn diçka tjetër në mendime dhe e harrojnë pse nisën ta tregojnë atë histori dhe nuk po dinë as vetë se ku po duan që të dalin. Humori është një risk i madh, humorin ose e ke, ose nuk e ke. Nuk mund të bësh humor, nëse nuk të vjen natyrshëm sepse del shumë keq. Humori është gjëja që duhet përdorur më së paku në familje publike, nëse ti nuk je një njeri me humor”, tha gazetari Renaldo Salianji./tvklan.al