Nëntë shtete në botë nuk kërkojnë asnjë certifikatë vaksinimi

Hungaria është shteti i 9-të në botë që ka hequr të gjitha kufizimet e deritanishme në kufi për udhëtarët që duhet të dëshmonin se nuk ishin të infektuar me Covid-19.

Më parë ishte Irlanda që njoftoi heqjen e të gjitha kufizimeve të udhëtimit. Tani udhëtarët – pavarësisht nga kombësia e tyre – mund të hyjnë në territorin e Hungarisë me rrugë publike, trafik ajror, ujor ose hekurudhor, duke paraqitur vetëm dokumentacionin tradicional të kërkuar para pandemisë si pasaporta për shembull, duke e bërë hyrjen si në 2019.

Maskat nuk janë të detyrueshme në hapësirat e jashtme ose të brendshme, duke përfshirë transportin publik, dyqanet, zyrat postare, teatrot, muzetë, kinematë, qendrat tregtare, ngjarjet sportive, kulturore, muzikore dhe në udhëtimet brenda dhe mes qyteteve të ndryshme. Dëshmia e vaksinimit në Hungari nuk do të kërkohet më për të hyrë në institucionet shtetërore ose për punë. Punonjësit e administratës publike nuk do të kenë më nevojë që të vaksinohen.

Maskat janë të nevojshme vetëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor. Hungaria i bashkohet listës së vendeve që hoqën plotësisht kufizimet e udhëtimit si Irlanda, Jordania, Islanda, Bahreini, El Salvadori, Sllovenia, Meksika dhe Norvegjia. Edhe në Itali pritet të hiqet gjendja e jashtëzakonshme për shkak të Covid-19, një instrument i konsideruar si joefektiv.

Ka shumë të ngjarë që nga 1 Prilli të mos kërkohet më certifikatë vaksinimi me dy doza të vaksinave teë njohura nga EMA për të qenë në gjendje të udhëtoni me aeroplanë, trena dhe autobusë.  Lehtësimi i masave kundër koronavirusit pritet që do të ndihmojë në rimëkëmbjen e turizmit në Itali, sidomos me festimet e Pashkëve katolike më 17 Prill. 

Klan News