Arrihet marrëveshja për njohjen e certifikatave të vaksinimit

Për Hungarinë, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë sa më i shpejtë dhe pa parakushte. Këtë mesazh Kryeministri Viktor Orban e dha në krah të homologut të tij shqiptar Edi Rama, të cilin e vlerësoi si mik të madh të Hungarisë, teksa e uroi për fitoren e tretë radhazi në zgjedhje.

“Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur, pa parakushte të tjera dhe Hungaria do të bëjë maksimumin. Ne hungarezët ,jo vetëm jemi mbështetës, por jemi mjaft të angazhuar e të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, jo vetëm sepse kjo motivohet nga simpatia jonë, por sepse motivohet dhe nga interesi ynë”.

Jo vetëm integrimi në BE, por edhe bashkëpunimi dypalësh në ekonomi, shëndetësi e arsim qenë pjesë e takimit mes dy kryeministrave në Budapest. Për Kryeministrin Rama, transformimi  dhe zhvillimi që ka njohur Hungaria është shembull për t’u ndjekur edhe nga Shqipëria.

“Duam të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin dypalësh ekonomik, por gjithashtu dhe në atë kulturor dhe në arsim. Atë çka Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë e talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë, është frymëzuese.”

E për të treguar se miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit, Kryeministri Rama nuk kurseu as batutat në konferencën e përbashkët me homologun e tij Orban.

“Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë.”

Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Budapest u arrit edhe marrëveshja për njohjen e certifikatave të vaksinimit kundër Covid-19, ku të  gjithë shqiptarët e vaksinuar do të udhëtojnë lirisht në Hungari. Brenda kësaj jave pritet të hapen kufijtë për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit, ç’ka sipas Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj janë dëshmi e fluksit të turistëve hungarezë që duan të vizitojnë Shqipërinë në verë.

Rama e Veliaj panë nga afër edhe vendin në Parkun Qendror të Budapestit ku në 5 Korrik do të vendosët busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Tv Klan