Qeveria propozon ligjin që ndalon edhe ndryshimin e gjinisë tek të miturit

Partia nacionaliste në pushtet në Hungari ka paraqitur një ligj për të ndaluar tekstet me përmbajtje që promovojnë homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë tek të miturit.

Në projektligj propozohet edhe ndalimi i reklamave që konsiderohen se promovojnë të drejtat e homoseksualëve.

Disa grupe të të drejtave të njeriut e denoncuan atë, duke thënë se ishte e ngjashme me kufizimet ruse për aktivitetet e LGBT. Budapest Pride, një aleancë e grupeve hungareze LGBT, u bëri thirrje aktivistëve të lobojnë që  Presidenti i SHBA Joe Biden të ngrejë këtë çështje me Orban. Shoqëria Hatter, një nga grupet që përfaqëson LGBT bëri të ditur se propozimi i Fidesz do të frenonte seriozisht lirinë e fjalës dhe të drejtat e fëmijëve.

Propozimi përfshihet në një projekt-ligj të qeverisë që ndëshkon pedofilinë. Ai tregon se të rinjve nën 18 vjeç nuk mund t’u tregohet përmbajtje pornografike, ose ndonjë përmbajtje që inkurajon ndryshimin gjinor ose homoseksualitetin.

Kushtetuta e Hungarisë thotë se martesa është për çiftet  normale. Vitin e kaluar qeveria e Fidesz dënoi një libër hungarez për fëmijë, “Ëonderland Is For Everyone”, i cili rindërton personazhe përrallash në role që përfaqësojnë pakicat, veçanërisht romët dhe homoseksualët. Fidesz e etiketoi atë propagandë homoseksuale, duke thënë se ajo duhet të ndalohet në shkolla.

Orban, një nacionalist euroskeptik është kritikuar gjerësisht në BE dhe akuzohet për shkelje të të drejtave të migrantëve dhe pakicave të tjera, politizim të gjykatave dhe mediave dhe tolerim të antisemitizmit. Ai pretendon se po mbron vlerat e krishtera të Hungarisë në një Evropë të mbërthyer nga liberalizmi i majtë.

Klan News