Hungaria nuk do të jetë pjesë e angazhimit të NATO-s për furnizimin dhe stërvitjen e ushtrisë ukrainase, por as nuk do t’i bllokojë me veto, aktivitetet e aleancës në ndihmë të Kievit. Për këtë, kryeministri hungarez Viktor Orban e garantoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin që pati këtë të Mërkurë në Budapest.
“Hungaria e ka bërë të qartë se nuk kërkon të bllokojë vendimet e NATO-s edhe pse ato ndryshojnë nga këndvështrimi ynë i situatës, por mbështeten nga pjesa tjetër e aleancës”, tha Orban.
Mbi 50 vende anëtare të aleancës janë bërë pjesë e grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, për të koordinuar dërgimin e ndihmave ushtarake e financiare, si dhe për stërvitjen e ushtarëve ukrainas për përballimin e luftës ruse.
Franca si nismëtare dhe gjithnjë e më shumë vende të aleancës po planifikojnë dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë, vetëm për stërvitjen në terren të ushtarëve vendas, çka për Moskën konsiderohet si përfshirje e tyre në luftë kundër Rusisë.
Viktor Orban, një prej të paktëve miq të Vladimir Putinit mes NATO-s është kundër hapave që çojnë në përshkallëzimin e konfliktit, pasi sipas tij kjo do të çojë në Luftën e Tretë Botërore.
Tv Klan