Kërkesa e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski për azil politik në Hungari u pranua nga autoritetet në Budapest. Këto të fundit sqaruan se kërkesa e Gruevskit u pranua për arsye sigurie. Megjithatë përgjigja përfundimtare për këtë rast do të jepet pasi të vlerësohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të azilit. Reagimi i autoriteteve hungareze erdhi pas thirrjes së kryeministrit maqedonas Zaev, për ekstradimin e paraardhësit të tij.

“Kemi lëshuar arrest ndërkombëtar dhe kërkojmë nga Hungaria që të Nikolla Gruevski të ekstradohet. Arratisja e tij tregon se ai ndihet fajtor për atë që është gjykuar”.

Më herët gjatë ditës u arrestuan në Shkup edhe ish-ministrin e Transporteve Mile Janakieski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kiril Bozhinovski. Ashtu si ish-kryeministri Gruevski, edhe dy ish-zyrtarët e qeverisë së tij janë nën hetim për aferën korruptive të njohur me emrin “Titanik”, për korrupsion, dhënie ryshfeti votuesve në zgjedhjet lokale të 2012-ës, me qëllim manipulimin e rezultatit.

Tv Klan