Budapesti ishte pengesa e fundit që vendi nordik t’i bashkohej aleancës ushtarake

Parlamenti i Hungarisë miratoi me 188 vota pro dhe 6 kundër pranimin e Suedisë në NATO, duke hequr kështu pengesën e fundit përpara këtij hapi historik të anëtarësimit të vendit nordik në aleancën më të madhe ushtarake. Ky ratifikim i dha fund vonesave disamujore.

Gjatë kësaj kohe qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban është përballur me presion nga aleatët e NATO-s për të qenë në një linjë me ta. Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se ështe një “ditë historike” dhe se Suedia është “e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj për sigurinë euro-atlantike”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se vendimi i parlamentit hungarez e bëri aleancën “më të fortë dhe më të sigurt”. Gjatë fjalimit në Kuvend, Kryeministri hungarez Viktor Orban, teksa mbështeti anëtarësimin e Suedisë tha se bashkëpunimi mes Suedisë dhe Hungarisë në fushën e mbrojtjes dhe anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojnë sigurinë e Hungarisë.

“Kemi një marrëdhënie të gjatë me shtetin nordik dhe kemi patur edhe mosmarrëveshje. Shumë njerëz nga jashtë provuan të ndërhyjnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona. Ata jo vetëm që nuk kanë ndihmuar, por kanë penguar. Hungaria është shtet sovran dhe nuk toleron diktatin e të tjerëve mbi të, qoftë për përmbajtjen e marrëveshjes apo kornizën kohore të saj”.

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO u përshëndet edhe nga Shqipëria. Presidenti Bajram Begaj teksa i uroi mirëseardhjen në Aleancë vendit të 32-të u shpreh se “Aleanca jonë është tani edhe më e fortë dhe e bashkuar, duke forcuar sigurinë dhe vlerat tona kolektive”.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha se Anëtarësimi i Suedisë do të forcojë sigurinë e rajonit tonë dhe të gjithë Aleancës. Suedia aplikoi për t’u bashkuar në vitin 2022 pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por Hungaria e kishte akuzuar atë si armiqësore. Vendimi i Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO vjen pas anëtarësimit të Finlandës, duke u bërë vendi i 32-të i aleancës. Por Suedia, për dallim nga Finlanda, u përball me vonesa të imponuara nga Turqia dhe Hungaria, të dyja këto shtete që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Rusinë në krahasim me anëtarët e tjerë të aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Klan News